Sejdiu: Qeveria e Serbisë po thotë ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër

15:00 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, ka reaguar pas lajmit se Serbia ka bllokuar kalimin nëpër territorin e saj të mallrave evropiane që për destinacion kanë Kosovën, informatë kjo që Qeveria e Kosovës ende s’e ka konfirmuar nëse është e vërtetë.

Sipas Sejdiut, kjo është një mënyrë që Serbia të thotë “ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër”.

Tutje ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të zbatojë reciprocitet të plotë me shtetin serb.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Sejdiut:

MARRËDHËNIET TREGTARE (ME SERBINË): QEVERIA TA ZBATOJË RECIPROCITETIN E PLOTË, TË VENDOSË FLAMUJT E PREJARDHJES SË PRODUKTEVE NË PIKAT E SHITJES, TA KRIJOJË FONDIN ZHVILLIMOR

Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi taksat për prodhimet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja-Herzegovina, Qeveria e Serbisë përpiqet tanimë ta bllokojë qarkullimin e çdo malli nga vendet e tjera, që kalon përmes territorit të Serbisë për në Kosovë!

Taksa e vendosur nga Republika e Kosovës është hap i domosdoshëm për të siguruar trajtim të barabartë në marrëdhëniet tona tregtare.

Veprimi i Qeverisë së Serbisë shpërfaq saktë dhe qartë pse Republika e Kosovës duhet të vendos masa të plota reciproke politike dhe tregtare edhe me Serbinë!

Qeveria e Serbisë po thotë: Ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër!

Ose mall te subvencionuar, pak para skadence, me çmime nën kosto të prodhimit; ose asgjë!

Qeveria e Kosovës nuk duhet zbrapsur tash!

Tre hapa janë të domosdoshëm:

1. Reciprocitet i plotë tregtar dhe ekonomik!

2. Vendosja e flamurit të shtetit të prejardhjes së produktit tek çmimet e produkteve në secilin pike të shitjes!

3. Krijimi i Fondit Zhvillimor të Kosovës, në shërbim sidomos të tre industrive: Industrinë e përpunimit të ushqimit, Sektorin e shërbimeve në IT dhe Sektorin energjetik dhe minerar.

Shtet zhvillimor ose varësi ekonomike! Rrugë të ndërmjetme nuk ka!

Duaje tëndën!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme