Atentati në Vlorë: Basha: Krimi qeveris vendin, Rama burgos fëmijët!

23:31 | 23 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas atentatit me tritol në Vlorë këtë pasdite, ku një person mbeti i plagosur rëndë.

Basha shprehet se në një kohë kur krimi po vret Shqipërinë, “Rama sulmon si i lajthitur të gjithë ata që mendon se po i rrezikojnë paratë dhe burgos edhe fëmijët dhe nënat që luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre”.

Kryedemokrati thekson se Rama për pushtet është gati të bëjë gjithçka, ndërkohë që krimi po qeveris vendin.

“Kur i gjithë shteti dhe policia janë vërsulur të nxjerrin banorët nga shtëpitë e tyre për vjedhjen 40 milionë Euro të Edi Ramës te Unaza, qytetet e Shqipërisë qeverisen nga krimi. Përsëri atentat me tritol dhe përleshje me armë sonte në Vlorë, në vazhdën e atentateve dhe përplasjeve mafioze që kanë përpirë gjithë vendin në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan dhe kudo, – shkruan Basha. – Ndërsa Edi Rama sulmon si i lajthitur të gjithë ata që mendon se po i rrezikojnë paratë dhe burgos edhe fëmijët dhe nënat që luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, krimi po vret Shqipërinë. Sepse për Edi Ramën kriminelë janë ata që i kërcënojnë tepsinë. Shikojeni si pëllet i tmerruar se duan t’i marrin karriken, tepsinë, paratë e vjedhura. U merr shtëpitë njerëzve të dëshpëruar, por ulërin si i çmendur se duan t’i marrin karriken. Hajdut dhe i çmendur!”, – përfundon komenti i Bashës në “Facebook”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme