Meta dhe Ahmeti kurora lulesh tek shtatorja e Skënderbeut në Shkup

17:23 | 22 Nëntor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Maqedoni në kuadër të programit për shënimin e 22 nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, i shoqëruar nga kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë një shëtitje rrugëve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, pas çka vendosi kurora me lule në bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin i cili mban emrin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, nga ana e tij tha se është i lumtur që ndodhet në Shkup për të marrë pjesë në kremtimin e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, i cili bashkoi të gjithë shqiptarët dhe që i parapriu pavarësisë së Shqipërisë si dhe përkuljes para monumentit të heroit kombëtar në kuadër të 550 vejtorit nga vdekja e kësaj figure të përmasave evropiane.

“Këtu në Shkup do të preferoja t’i referohesha Fan Nolit tonë të madh, njërit prej frymëzuesve të Kongresit të Manastirit pavarësisht se nuk mori pjesë drejtpërdrejt, se Skënderbeu do të mbetet përgjithmonë shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë”, tha Meta.

Në fjalimin e tij, Ahmeti tha se sot shënojmë veprën e rilindasve shqiptarë të cilët me vendosjen e alfabetit, në fakt përcaktuan edhe drejtimin kah duhet të ecë kombi ynë, por edhe përvjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, i cili na mbajti gjallë që të jetësojmë idealet të cilat i kishte ai, por edhe rilindja kombëtare, ndonëse kemi akoma punë për të bërë.

“Jemi krenarë që i kemi shndërruar në monumente të gjitha ato ideale që kanë pasur, që nga ngritja e shtatores këtu në Shkupin e vjetër deri tek memoriali që ndodhet para nesh”, tha Ahmeti për të shtuar se këto personalitete do të mbeten udhërrëfim për të jetësuar idealet tona kombëtare.

Meta dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Xhaferi, pritet të mbajnë fjalim sonte në ceremoninë qendrore kushtuar 22 nëntorit-Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme