Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë takimit e radhës, në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA, e cila pritet të mbahet në Prishtinë.
Kosova është kryesuese e CEFTA-s dhe pritet që kryesimi të përmbyllet edhe më një takim ministror. Ky takim, pritet të mbledhë ministrat e Tregtisë të vendeve që përfshinë Marrëveshja e CEFTA-s.
Këto paralajmërime janë bërë para mbledhjes se Qeverisë të mbajtur të mërkurën, ku është vendosur që taksa ndaj importeve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga 10 për qind sa ishte vendosur më parë, të rritet në 100 për qind.
Por, nga Beogradi dhe Sarajeva tashmë janë dërguar mesazhe negative rreth pjesëmarrjes. Vendosja e taksës për për importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, theksohet si arsye pse këto dy vende do të bojkotojnë të gjitha aktivitetet që po zhvillohen në kudër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, në Prishtinë.
Takimet e grupeve punuese të vendeve të rajonit janë mbajtur këtë javë në Prishtinë, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Serbia dhe Bosnja, kurse takimi në nivel të ministrave të të gjitha vendeve anëtare të CEFTA-s, do të mbahet më 6 dhjetor, po në Prishtinë.
Mospjesëmarrjen në takimin e radhës në Prishtinë e ka konfirmuar ditë më parë ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, duke thënë se “Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk do të marrin pjesë në takimin e punës të CEFTA-s që do të mbahet në Prishtinë më 20 dhe 21 nëntor, dhe as në takimin ministror në kuadër të CEFTA-s në dhjetor në Prishtinë”.
Sipas Lajiqit, vendosja e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja që janë të destinuara për tregun në Kosovë, ka krijuar krizën më të madhe që prej funksionimit të CEFTA-s.
Por, krejt ndryshe mendon kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke thënë se ka një kohë të gjatë që Kosova është bllokuar nga Serbia dhe nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s.
“Është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi”, ka thëne Haradinaj.
Sipas tij, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.
Ndërkaq, Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar përgatitjet për aktivitete përmbyllëse të këtij projekti ndërkombëtar, por që ftesat zyrtare për takimet përmbyllëse të nivelit ministror ende nuk janë dërguar ministrave të vendeve anëtare të CEFTA-s.
“Ftesat nuk janë dërguar ende nga ana jonë, jemi në përgatitjet e fundit. Është një praktikë e të gjitha vendeve anëtare CEFTA-s, që pavarësisht situatave të krijuar është obligim i secilit vend dhe në këtë rast i Kosovës si kryesues i CEFTA-s, që ftesat dhe agjendat të shkojnë te ministrat e vendeve anëtare të CEFTA-s. Mbetet që ftesat të dërgohen nga ana jonë dhe pastaj të presim pjesëmarrjen e vendeve të CEFTA-s”, tha Dervisholli.
Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike nuk shohin ndonjë të arritur gjatë kryesimit të CEFTA-s nga pala kosovare. Ismet Mulaj, ekspert për çështje ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe presidenca nga Republika e Kosovës ka shkuar rutinë pa ndonjë efekt në përmirësimin e kushteve biznesore.
Sa i përket vendosjes së taksës për produktet nga Serbia dhe Kosova, ai thotë se pavarësisht se cili shtet e kryeson këtë marrëveshje, taksa e Kosovës ndaj produkteve të këtyre shteteve duhet të jetë edhe më e lartë.
“Ky vendim ka ardhur si rezultat i efekteve politike që ka Kosova me Serbinë. Këto dy shtet (Serbia dhe Bosnja) përveç se në aspektin ekonomik kanë raporte jo të mira me Kosovën, por edhe në aspektin politik po shkaktojnë dëme të pariparueshme në arenën ndërkombëtare. Dhe sipas mendimit tim, i vetmi mekanizëm është që për mes taksave të ndryshme, këto dy shtet të reflektojnë karshi Kosovës”, tha Mulaj.
Megjithatë, Dervisholli konsideron se Kosova me sukses po përfundon presidencën e Marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe më këtë sipas saj, është dëshmuar se Kosova mund dhe dinë të udhëheqë me një mekanizëm ndërkombëtar.
“Mund të themi se është një kryesim jashtëzakonisht i suksesshëm dhe me disa vendime të rëndësishme, siç është vendimi për rritje të buxhetit të CEFTA-s dhe vendime të tjera. Gjatë kësaj periudhe kemi arritur që të fitojmë edhe projekte të tjera, qoftë për Kosovën, por edhe për vende tjera të CEFTA-s. Dhe për më tepër kemi dëshmuar me të gjithë partnerët tanë dhe te bashkësia ndërkombëtare, që Kosova mund të dijë të udhëheq me një mekanizëm ndërkombëtar”, tha Dervisholli.
Ndryshe Kosova, edhe në vitin 2011-tëka kryesuar CEFTA-n, menaxhim të cilin e kishte marrë nga shteti serb.
Edhe në atë periudhë, përmes masave të reciprocitetit, Kosova ka arritur që të lejojë hyrjen e mallrave kosovare në shtetin e Serbisë, pasi kjo fundit, që nga viti 2008, kishte bllokuar hyrjen e prodhimeve kosovare në shtetin e saj.
CEFTA është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke mes shteteve anëtare të këtij mekanizmi. Kosova në vitin 2007, zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e Evropës Qendrore./REL
Një person humb jetën pas shpërthimit të bombolës së gazit n...
Këto janë të gjitha çmimet që i ndau FFK-ja
SHBA thotë se shpërblimi për arrestimin e liderit të ri siri...
Aksident me vdekje në Durrës
Një grua raporton në polici rrëmbimin e djalit të saj për nj...
Sulmoi zyrtarin policor, arrestohet i dyshuari në Gjakovë