Google ADS

Greqia akuzon: Të miturës shqiptare që abortoi i shkulën organet

22:32 | 21 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

“Fiks Fare” denoncoi me zë dhe figurë një skandal në sistemin e drejtësisë. Vdekja e Kostandina Anagnostit në vitin 2014, në atë kohë 15-vjeçare, është cilësuar nga Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore Shqiptare si aksidentale.

Asnjë person nuk u përball me drejtësinë, madje nuk janë marrë në pyetje edhe personat e akuzuar. Por, ndryshe nga pala shqiptare, Prokuroria e Janinës ka rihapur çështjen. Taksisti që shoqëroi adoleshenten në Sarandë, në nëntor të vitit 2014, është arrestuar me akuzën e vrasjes. Spiro Papa akuzohet se e ka çuar vajzën në një klinike gjinekologjike në Sarandë për abort. Ndaj tij rëndojnë dhjetëra akuza nga pala greke, por çuditërisht në Shqipëri emri i tij figuron i pastër.

Ngjarja ka ndodhur në territor Shqiptar, por Prokuroria e Sarandës dhe Mjekësia Ligjore në Tiranë e kanë cilësuar vdekjen si natyrale.

Denoncimi i babait
“Fiks Fare” udhëtoi para pak javësh në Janinë, Greqi. Jorgo Anagnosti akuzoi në emisionin investigativ Fiks Fare organet e drejtësisë shqiptare. Ai tha se është ndarë nga ish-bashkëshortja vite më parë dhe 3 fëmijët i janë lënë nënës. Kjo e fundit, i ka çuar në Shtëpinë e Fëmijës në Janinë. Sipas tij, në muajin nëntor të vitit 2014, një person i quajtur Spiro Papa, i cili kishte lidhje intime me ish-bashkëshorten e tij, e ka marrë Kostandinën nga Shtëpia e Fëmijës në Janinë dhe e ka dërguar në Shqipëri. Megjithëse vajza ishte nën 18-vjeçe, ai e kaloi në pikën e kalimit kufitar në Qafë Botë, pa asnjë prokurë nga nëna dhe babai. Të nesërmen, ai e ka çuar në Sarandë, fillimisht në një floktore dhe më pas te një klinikë gjinekologjike, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për abort.

“Vajza ime ka qenë shtatzënë” thotë Jorgo, ndërsa shton se çështja u hetua nga Prokuroria e Sarandës, e cila pas disa muajsh hetimesh, i mbylli me argumentimin se vdekja ka qenë natyrale. Sipas babait të Kostandinës, eksperti ligjor Elmas Shaqiri ka bërë një nga aktet e ekspertimit, ku e cilësoi se shkaku i vdekjes ka qenë “arresti kardiak”.

“Vajzën ma ka vrarë për herë të dytë eksperti mjekoligjor. Ata kanë tentuar të mbrojnë gjinekologen Rajmonda Çondin, ku Kostandina shkoi për të abortuar” thotë më tej Jorgo. Ai thotë se mjekoligjorët shqiptarë i kanë hequr nga trupi organet vajzës, me qëllim që çështja të mos zbardhej. Sipas tij, këtë e konfirmon edhe Mjekësia Ligjore Greke dhe Prokuroria e Janinës, të cilët kanë dalë në konkluzionin se vdekja ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes gjinekologjike për abort.

Mjekoligjori grek: Vajzës iu shkulën organet!Akt-akuza e Prokurorisë së Janinës mbështetet në raportin mjekoligjor të muajit maj 2018, të profesor Theodhoros Voujouklakis. Në të thuhet se “organet jetike ishin hequr komplet deri te qafa e mitrës”. Madje, pretendon se vajza i është nënshtruar një ndërhyrje gjinekologjike. Sipas tij, gjetja e lidokainës në gjak dhe urinë, tregon se vajza shkoi e vdekur në spital. Më tej vijon se lidokaina iu dha kur ishte gjallë dhe jetoi një farë kohe.

Fiksi siguroi një bisedë me mjekoligjorin Theodhoros Voujouklakis. Ai konfirmon se Kostandina ka bërë abort “dhe se në abort iu injektua lidokainë”. Ai tha se të gjitha i ka shkruar dhe i ka dërguar në Prokurorinë e Janinës, e cila më pas arrestoi edhe taksistin. Mjeku hodhi dyshimë të rënda se trupi i Kostandinës nuk ka pasur organe në momentin e ekzaminimet në Janinë. Mjekoligjori grek hedh dyshime të forta se vajza i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për të bërë abort. Nisur nga ky akt, Prokuroria e Janinës, pretendon se përgjegjësi kryesor është shoferi i taksisë që e çoi në klinikë, Spiro Papa.

Sipas saj, “shkaku i vdekjes së adoleshentes erdhi nga injeksioni i mbidozës së lidokainës, gjatë ndërhyrjes gjinekologjike për abort, në të cilën ju kishit dijeni”. Më tej, thuhet se arresti kardiak do të ishte evituar nëse shoferi nuk do të vonohej për ta dërguar në spital. Familjarët kanë dyshime se aborti është bërë në klinikën e zonjës Rajmonda Çondi në Sarandë

Në një bisedë me babanë e vajzës, gjinekologia e kërcënon dhe i thotë se “mos të merret më me të”. Megjithatë, në Shqipëri dosja është arkivuar si pasojë e një raporti mjekoligjor nga eksperti Elmas Shaqiri. Në aktin e tij, thuhet se analizat toksikologjike kanë dalë të pastra, ndryshe nga analizat në Greqi ku ka rezultuar trefish më tepër dozë anestezie në trupin e saj. Z.Shaqiri doli në konkluzionin se mbi Kostandinën nuk ishte ushtruar dhunë dhe se shkaku i vdekjes është arresti kardiak, por mjekoligjori grek pretendon se mbidoza e lidokainës shkakoi arrestin kardiak, gjatë ndërhyrje gjinekologjike.

Në raport, mjeku Elmas Shaqiri përshkruan edhe organet e trupit, ndërkohë që mjeku grek thotë se ka vetëm inde dhe se vajzës i janë shkulur organet!

Dedektivi grek: Tre orët e abortit në Shqipër

iPër hetimin e çështjes, krahas Prokurorisë së Janinës, babai i Kostandinës ka marrë edhe një dedektiv privat. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me z.Fonda Grozhda, i cili tha se vajzën e ka marrë nga Shtëpia e Fëmijës Spiro Papa. Sipas tij, ai merrte edhe vajza të tjera. “Në radhë të parë, pika kryesore që vërteton abortin është gjetja e lidokainës, anestezisë, në trupin e vajzës, nga e cila rezulton se është bërë ndërhyrje gjinekologjike. E sigurt që ka bërë ndërhyrje gjinekologjike, ajo vërtetohet nga të gjitha shkresat e mjekësisë ligjore në Greqi” thotë ai. Më pas thotë se ka shkuar në Shqipëri dhe ka bërë një hetim të çështjes.

“Ajo që është e rëndësishme, ka të bëjë me orët. Në fillim thotë se ndodhi në fshatin Metoq. Por, ky fshat është 4 kilometra larg Sarandës, një distancë kjo që bëhet vetëm për 7, 8 ose 10 minuta. Fshati, Pllakë, është 14 kilometra larg Sarandës dhe referohemi se do të dojë edhe 15 minuta më tepër vajtje ose ardhje. Nga ora 12.00 që ka ikur nga dentisti, kemi një humbje kohe prej 3 orësh e gjysmë, që deklaron taksisti. Kjo distancë prej 28 kilometrash, bëhet maksimumi për 30 minutash, ai deklaron për 3 orë e gjysmë. Nuk mund të justifikohen këto orë, në këtë distancë. E vetmja gjë që mund të themi me siguri është që ndodhi diçka, dërgoi vajzën në një klinikë. Dhe, diçka vajti keq gjatë ndërhyrjes për të bërë abortin. Ky është rast shumë i keq për drejtësinë shqiptare, mjekësinë ligjore shqiptare që të mbyllet kjo çështje” thotë ai.

Drejtësia shqiptare: S’i mund të rihapet çështja

Fiks Fare u interesua në Mjekësinë Ligjore në Tiranë. Ata na u përgjigjen se aktet e tyre të ekspertizës nuk janë kundërshtuar nga Prokuroria Greke. Pyetjes nëse vajza ka qenë shtatzënë, na thanë “referojuni aktit të ekspertimit”.Pyetjeve për mungesën e organeve, na u përgjigjën se janë marrë vetëm kampionë për autopsinë. Në lidhje me raportin e ri të mjekoligjorit grek se vajza ka bërë abort, na u përgjigjën se ky pretendim nuk qëndron.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Prokurorinë e Sarandës dhe biseduan me kreun e kësaj akuze. Ai tha se mënyra e vetme që mund të rihapet çështja është që palët të bëjnë kërkesë në gjykatë. “Sidomos tani, gjykata është shumë dashamirëse ndaj njerëzve. Unë kam ardhur më vonë në këtë institucion. Kam parë një dosje, ka pasur këtë fakt dhe dosja ka ecur në këtë rrugë. Nëse do të vinte një akt, çfarë problemi do të ishte të prishet dosja. Problemi është se është vendosur vetëm mbi këtë bazë, kur ka ardhur letërporosia. Dhe këtu te ne ndodh, e çon aktin e parë e nxjerr në këtë mënyrë, e çon aktin e dytë që mund të jetë dhe më profesional” thotë ai.

Fiks Fare mësoi nga prokuroria e Sarandës se, nëse gjykate do të vendosë për rihapjen e çështjes, atëherë ata nuk do e kundërshtojnë.

Ku ishte gjinekologia?

Gazetarët e Fiks Fare shkuan edhe në klinikën e zonjës Rajmonda Çondi në Sarandë, në vendin ku dyshohet se ka ndodhur vdekja e Kostandinës në nëntor të vitit 2014. Zonja Çondi nuk preferoi të japë një intervistë, ndërsa deklaroi se klinika e saj është e mbyllur. Por, disa punonjës aty pranë, thanë se mjafton që doktoreshën ta marrësh në telefon dhe të lë takim. Në bisedë, Çondi tha se “ajo është një klinikë që nuk bën as aborte. Nuk është absolutisht, absolutisht, asnjë lloj lidhje me atë person. Se po të kisha, do isha thirrur në Prokurorinë e Sarandës, nëse do ishte problem”. Ajo konfirmoi se nuk ka dëshmuar asnjëherë në prokurori për këtë çështje, por vetëm për kërcënimet që ka marrë nga babai.

Pra, në të gjithë këtë ngjarje, prokuroria e Sarandës, nuk ka marrë në pyetje gjinekologen e akuzuar se ka bërë abortin, duke hedhur dyshime të forta se Kostandina ka ndërruar jetë pikërisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

***

Bisedë mes babait të vajzës dhe gjinekologes

Babai i vajzës – Akuzohesh për vrasjen e vajzës sime, nuk e di e bërë me dashje apo pa dashje. Pa më thuaj? Ditën që ka vdekur vajza i ke thënë atij njeriut se ishe në Athinë.

Rajmonda Çondi – Jo, s’kam qenë në Athinë fare. Unë ato ditë e kisha mamanë të shtruar në Onkologjik dhe e kam lexuar nga gazetat atë ditë që ka dalë, domethënë lajmi i parë që dhanë gazetat.

Babai i vajzës – Ik në prokurori, trego ç’është bërë e vërteta të lehtësosh veten.

Rajmonda Çondi – S’kam pse të vete në prokurori, shkova sot të denoncova ty.

Babai i vajzës – Po, po.

Rajmonda Çondi – Dhe ti nëse do të vazhdosh kështu, nga i akuzuar siç je, do të akuzoj unë ty tashti dhe do dali…

Babai i vajzës – Atë do ta shohim.

Rajmonda Çondi – Në rregull?

Babai i vajzës – Tani më kërcënon ti mua?

Rajmonda Çondi – Po patjetër, nëse vazhdon kështu.

Babai i vajzës – Më more jetën e vajzës dhe më kërcënon?

Rajmonda Çondi – Mos e vazhdo më me këtë numër se do të dalësh keq me mua, sepse nuk të kam ndonjë borxh.

Bisedë me mjekoligjorin grek

Zonja – Ju Z. Vujuklaqi, si profesor, si mjekoligjor. Dyshoni se Kostandina vdiq në krizën e marrjes së lidokainës? Për një ndërhyrje që është bërë, apo ndoshta nuk bëri abort, ose shkoi për të rregulluar virgjërinë e saj. Më fal nuk jam e parritur …

Dr Vujuklaqi- Ja një çast, duhet të shikojmë disa gjëra. Lidokaina, ka dy raste.

Zonja – Po, po.

Dr Vujuklaqi – Teorikisht po flasim, ka dy raste; Ta ketë marrë kur bëri një ndërhyrje mjekësore dhe kjo u dukë dhe në urinë…

Zonja – Po.

Dr Vujuklaqi- Ose e mori gjatë me vete kur ishte gjallë.

Zonja – Jam dakord me ju, pikërsisht ashtu si thoni.

Dr Vujuklaqi- Në rregull. Më thoni një nderhyrje mjekësore, të marrim rastine parë, një ndërhyrje mjekësore..

Zonja – Po.

Dr Vujuklaqi-…Çfarë ndërhyrje mjekësore u bë përveç se…

Zonja – Gjinekologjike! Hë të lumtë! Këtë ju them edhe unë.

Dr Vujuklaqi- Po çfarë të ishte, veprim gjenokologjik, që të ketë bërë abort vajza.

Zonja – Po pra, abort.

Dr Vujuklaqi-Abort. Në abort na shpjegojnë se u gjend lidokaina, nuk e diskutojmë këtë.

Zonja – Po, po.

Dr Vujuklaqi- Si do të shphjegohet se u bë në mitrën konkrete që na ka ardhur te ne nga Shqipëria është e vajzës?

Dr Vujuklaqi- Këtë e shkruajta shumë mirë në raportin tim që ja dhash prokurorit, tani ju them fjalët e mia dhe them: Si shpjegohet ekzistenca e lidokainës në urinë ndërkohë që njeriu paska mbëritur i vdekur?

Zonja – Po.

Dr Vujuklaqi- Këtë ja shkruaj prokurorit në raportin që e dhash tani.

Zonja – Ju lumtë!

Dr Vujuklaqi- E shkruaj tani. Atëhere, si shpjegohet lidokania…këto. Le të vimë në pozicionin e prokurorit tani.

Zonja – Po, po, po.

Dr Vujuklaqi- Kështu që njeriu duhet të gjeje nëse njeriu se kur e ka marrë lidokaninën, erdhi i gjallë apo i vdekur njeriu në spital apo ka patur ndonje ndërhyrje mjekësore?

Dr Vujuklaqi – Dëgjoni, dëgjoni. Do të flasin për gjërat objektive që shikojmë. Në çastin që mitra, le të themi që është një mitër tjetër dhe nuk është e vajzës, kështu nuk është?

Zonja – Po, po.

Dr Vujuklaqi – Në çast që nuk del ADN-ja, që të themi se mitra është e vajzës po apo jo, prandaj them që është shumë e rëndësishme.

Zonja – Po, po.

Dr Vujuklaqi – Në çast që nuk del ADN-ja, është sikur nuk ekziston.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme