Presidenti serb falënderon Mogherinin dhe paralajmëron masa kundër Kosovës

21:05 | 21 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia po përgatit masa kundër Kosovës pas vendimit të sotëm të saj që prodhimet serbe të taksohen 100 për qind, ndërsa ka shtuar se “nuk do të hyjmë në kundërmasa dhe as nuk do të shkelim marrëveshjen e CEFTA-s dhe të marrëveshjeve të tjera.

“Ne do të reagojmë racionalisht, me qetësi dhe me përgjegjësi”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se dëshiron që të ruhet paqja, njofton b92.

“Krahas rrezikut dhe pjesërisht frikës që e shfaqim, sepse brengosemi për paqe, ne jemi të detyruar të ndërmarrim masa të llojllojshme për t’i treguar botës dhe për të ndihmuar popullin serb. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare secila ka marrë detyrat e veta. Kryeministrja, Oda Ekonomike do të punojnë me kompanitë që kanë eksportuar në Kosovë, ashtu që të përpiqemi që bashkë të shohim si mund t’i ndihmojmë dhe ta tejkalojnë këtë krizë të rëndë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Në pyetjen që të komentojë ftesën që Mogherini ia ka bërë Kosovës që ta heqë urgjentisht taksën për mallrat serbe, ai ka thënë se BE është dashur më herët të reagojë, atëherë kur ishte vënë taksa 10 për qind e jo tash kur ajo është shtuar 100 për qind.

“Faleminderit Mogherini”, ka thënë ai dhe tha se “do të gjejmë edhe planin rezervë e bazik”.

Ai ka paralajmëruar se nesër do të takohet me përfaqësues të serbëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme