Gjykata e Hagës kritikon kryeministren e Serbisë për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

12:30 | 21 Nëntor 2018
A. B.

Kryetari i Gjykatës së OKB-së në Hagë, Theodor Meron, kritikoi kryeministren serbe Ana Brnabiq për mohimin se masakrat e Srebrenicës përbënin një akt gjenocidi.

Kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Theodor Meron, sfidoi kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq gjatë takimit të tyre të martën në Beograd lidhur me mohimin e saj se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid.

“Serbia nuk zgjidh gjë duke kundërshtuar vendimet e një gjykate penale të madhe ndërkombëtare,” tha Meron për Brnabiq, sipas njoftimit për shtyp të MICT.

Ai tha se “një sërë vendimesh” para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, e bënin “absolutisht të qartë se krimet e kryera në Srebrenicë në vitin 1995 përbënin krimin e gjenocidit”.

Brnabiq mohoi se masakrat e korrikut 1995 të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës ishin një akt gjenocidi në një intervistë më 14 nëntor për televizionin ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle.

“Jo, nuk mendoj se masakra e tmerrshme në Srebrenicë ishte gjenocid,” tha ajo për programin e Deutsche Welle “Conflict Zone”.

Ushtria Serbe e Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiq pushtoi qytetin e Srebrenicës më 11 korrik 1995, pastaj vrau më shumë se 7,000 burra dhe djem nga enklava.

Krimi u përcaktua si një akt gjenocidi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si edhe nga ICTY.

ICTY dhe gjykatat vendase kanë dënuar 45 persona me një total prej 699 vjetësh burg – plus tre dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe vepra penale të tjera kundër boshnjakëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, krime lufte dhe krimet kundër njerëzimit në një vendim të shkallës së parë në vitin 2017.

Gjykata me bazë në Hagë gjithashtu dënoi ish kreun politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe e dënoi me 40 vjet burg në vitin 2016. Të dy burrat po i apelojnë vendimet kundër tyre.

Meron shprehu “mospajtim dhe zhgënjim” me intervistën e Brnabiç dhe sugjeroi që “interpretimet ligjore të krimeve ndërkombëtare të lihen më mirë në dorë të gjykatave penale ndërkombëtare”.

Qeveria serbe nxori një njoftim për shtyp në lidhje me takimin midis Brnabiq dhe Meron pa përmendur kritikat e kryetarit të MICT në lidhje me pretendimet e saj për Srebrenicën.

Njoftimi për shtyp fokusohej tek kushtet në burgje të të dënuarve serbë për krime lufte.
Meron është në turin e tij të fundit në ish-shtetet jugosllave para se të tërhiqet nga posti më 18 janar të vitit të ardhshëm. Vendi i tij do të zihet nga gjyqtari Carmel Agius./BIRN

 

Të ngjashme