Merkel shpreson këtë fundjavë të zyrtarizohet marrëveshja Brexit

20:59 | 20 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka shprehur shpresë se Bashkimi Evropian (BE) dhe Mbretëria e Bashkuar do të zyrtarizojnë marrëveshjen për Brexit-in këtë fundjavë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin danez, Lars Lokke Rasmussen, Merkel theksoi se tërheqja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja ka hyrë në një fazë përfundimtare.

“Shpresojmë se do të kemi një takim të Këshillit Evropian të dielën për të nënshkruar marrëveshjen e tërheqjes dhe për të diskutuar mbi marrëdhëniet e ardhshme”, tha Merkel.

“Ne kurrë nuk donim këtë tërheqje, por pasi do të ndodhë, duam të arrijmë dy gjëra. Së pari, ne dëshirojmë të kemi një tërheqje të rregullt. Dhe së dyti, ne do të dëshironim të kemi marrëdhënie të mira, miqësore dhe të afërta edhe në të ardhmen”, theksoi Merkel.

Kryeministrja britanike, Theresa May, do të udhëtojë të mërkurën në Bruksel për të takuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude-Juncker, për të diskutuar detajet përfundimtare mbi Brexit-in.

Javën e kaluar, kabineti i kryeministres May miratoi projekt-marrëveshjen e arritur nga negociatorët e BE-së dhe ato britanikë, por dorëheqjet e sekretarit të saj të Brexit-it, Dominic Raab, dhe atij të Punës dhe Pensioneve, Esther McVey, çuan në pasiguri për kursin e ardhshëm të Brexit-it.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme