Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në Bruksel kryetaren e Senatit të Belgjikës, Christine Defraigne, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryeparlamentari Veseli e njohu homologen belge me angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit euro-atlantik, reformat në drejtësi, administratë publike dhe veçmas për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Megjithëkëtë, Veseli theksoi nevojën e përkrahjes së shteteve mike, në këtë rast të Belgjikës, për t’i dhënë këtij procesi epilog pozitiv dhe të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, brenda këtij viti.
“Mbretëria e Belgjikës e mbështetë Kosovën në të gjitha proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në takim me kryetaren e Senatit e njoftova atë se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe në rrafshin e brendshëm po bën reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik”, theksoi Veseli.
Kryesenatorja belge, Christine Defraigne, nga ana e saj, i dha mbështetje të plotë kryeparlamentarit Veseli dhe institucioneve të Kosovës në angazhimin dhe punën e tyre për përmbushjen e reformave të nevojshme në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillim më të madh ekonomik.
Ajo konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në të gjitha proceset që lidhen me të ardhmen euro-atlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Të dy homologët u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe Belgjikës mund të avancohet më tej, sidomos në rrafshin ekonomik.
Ëndrra Gjeorgjiane shpall fitoren, opozita me akuza për “vje...
“Një shtet Bektashi brenda Shqipërisë do të shkaktonte çekui...
Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO
Presidenti i Polonisë përjashton dërgimin e armëve të reja n...
Vullneti tregon çfarë i tha nëna e tij para se të hynte në B...
Persona të panjohur vendosin një arkivol të zbrazët para një...