Google ADS

Haradinaj pas takimit me zëvenëspresidentin e BERZH-it zotohet për investime të rëndësishme

10:11 | 20 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me zëvendëspresidentin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jurgen Rigterink, me të cilin janë zotuar se do të bashkëpunojnë me projekte tejet të rëndësishme për Kosovën, njofton Klan Kosova.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të BERZH-it, në projekte që do të fuqizonin zhvillimin e zonave industriale, për korporatat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar cilësinë, ndërmarrjet eksportuese dhe fusha tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët dhe stabilitetin e bizneseve në Kosovë.

“Ujëmbledhësit, trajtimi i ujërave të zeza, rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Hani i Elezit – Prishtinë, Unaza e Prishtinës, janë disa nga projektet për të cilat Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë me Bankën Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në fokus të këtij partneriteti do të jenë edhe shumë projekte të tjera të Komunave, që kanë qenë pjesë e prezantimit të Kosovës në Samitin e BERZH në Shkurt të këtij viti në Londër.

Ndërsa, zëvendëspresidenti i parë të BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke thënë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në zhvillimin e projekteve dhe investimeve për të ardhmen.

Në këtë takim, të dyja palët u zotuan në implementimin e projekteve infrastrukturore, si rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Hani i Elezit – Prishtinë, rruga Kijevë – Zahaq, ndërlidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP, implementimi i projekteve për trajtimin e ujërave të zeza derisa në fokus të Qeverisë do të jetë ndërtimi i digave për rritjen e kapacitetit ujor të Kosovës dhe projekti Unaza e jashtme e qytetit të Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme