Mbreti Salman i Arabisë Saudite flet për drejtësinë

20:17 | 19 Nëntor 2018
Arbresh.info

Mbreti Salman i Arabisë Saudite e lavdëroi gjyqësorin e vendit, në kohën kur presioni i jashtëm për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, vazhdon të rritet.

Në komentet e tij të para publike qëkur Khashoggi u vra në Stamboll, muajin e kaluar, mbreti tha se vendi i tij “nuk do të devijojë kurrë” nga shërbimi i drejtësisë.

Megjithatë, ai nuk iu referua drejtpërdrejt rastit gjatë fjalimit të tij vjetor.

Arabia Saudite i ka mohuar pretendimet se princi i saj i kurorës është i përfshirë në vrasjen e Khashoggit.

Qeveria e Riadit ka thënë se Khashoggi është vrarë si rezultat i një operacioni të marrjes në pyetje që, sipas saj, ka shkuar keq.

Khashoggi, kontribues në gazetën Washington Post dhe kritik i shquar i Qeverisë saudite, është vrarë pasi ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument për martesë më 2 tetor.

Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, e ka urdhëruar vrasjen, edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk e ka mbështetur këtë vlerësim.

“Mbretëria është themeluar mbi parimet islame të drejtësisë dhe barazisë dhe ne jemi krenarë me përpjekjet e gjyqësorit dhe të prokurorisë publike”, tha monarku 82-vjeçar në fjalimin e së hënës në Këshillin Shura.

“Ne garantojmë se ky vend nuk do të devijojë kurrë nga zbatimi i ligjit të Zotit dhe shërbimi i drejtësisë”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme