Përderisa autoritetet kosovare shpresojnë dhe besojnë se nesër do të ndodhë pranimi i Kosovës në INTERPOL, Serbia edhe më tutje vazhdon propagandën e saj.
Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që po mbahet në Dubai, gjatë ditës së nesërme pikë e rendit të ditës është votimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, raporton lajmi.net.
Pavarësisht se autoritetet kosovare, ndërkombëtarët dhe njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se Kosova e meriton dhe duhet të anëtarësohet në INTERPOL, Serbia po vazhdon propagandën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, mediat serbe kanë raportuar se Serbinë e mbështetin edhe pesë shtete. Janë Kina, Spanja, Qipro, Argjentina dhe Surinami, shtete të cilat e përkrahin Serbinë në idenë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe se nuk duhet të anëtarësohet.
Por, Kosova e ka mbështetjen e shteteve mjaft të fuqishme të botës. Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania, Franca, Mali i Zi, shtete këto që edhe sot e kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po merr pjesë në Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ka thënë se nesër do të jetë dita e Kosovës.
Pacolli në një prononcim për lajmi.net, është shprehur optimist se Kosova nesër do të bëhet anëtare e INTERPOL-it.
Në anën tjetër, Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë për lajmi.net, se Kosovës i ka munguar lobimi i saj.
Sipas tij, falë mbështetjes së partnerëve strategjik, Kosova ka arritur të futet në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme për votim për anëtarësim në INTERPOL.
“Unë mendoj që Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet edhe sa i përket besueshmërisë, integritetit por edhe personalitetit të vet për të qenë anëtare e plotë e INTERPOL-it. Kështu që në aspektin funksional, profesional dhe deri diku në aspektin politik do me thënë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe në kuadër të Qeverisë, është mirë, por realisht ka munguar lobimi e sidomos i kësaj qeverie edhe realisht i Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila ka dështuar shumë ecje. Ka qenë një fat i madh që partnerët tanë strategjik SHBA, Gjermania, Franca, Britania të cilat kanë pasur një lobim të mirëfilltë dhe kjo jep gjasa reale që nesër në Dubai të bëhet do me thënë që të hapet mundësia e zgjedhjes”, deklaroi Ibishi.
Tutje sipas tij, Serbia duke e parë mbështetjen e fuqishme që po i japin shtetet e mëdha Kosovës, po bën përpjekje që edhe në këtë Asamble të bëj propagandë.
Ibishi thotë se këtë propagandë Serbia po e bën për faktin se në fund do të humbas pasi që siç u shpreh ai, Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL.
“Unë jam optimist përkundër asaj se edhe si Ministri e Punëve të Brendshme edhe e Punëve të Jashtme, por edhe e vet Qeverisë kemi dështuar në lobim, por është një fat i madh që partnerët tanë strategjik kanë bërë punë dhe realisht një element kyç është që Policia e Kosovës është ndërtuar mbi baza të shëndosha në punën e deritashme. Unë besoj se gjasat janë reale që Kosova në votimin e nesërm të pranohet në INTERPOL duke u bazuar në kapacitetet e Policisë së Kosovës”, deklaroi Ibishi për lajmi.net.
Me anëtarësimin në INTERPOL, sipas tij, Kosova do të përfitonte shumë pasi që në këtë mënyrë, Kosova do të mund të ndjekë ndërkombëtarisht kriminelët e luftës së fundit në Kosovës.
Tuje Ibishi ka thënë se INTERPOL-i do t’i mundësonte Kosovës që të ndjek edhe udhëheqësit e grupeve apo të organizatave terroriste, por edhe të krimit të organizuar në aspektin global, por edhe Evropë në rajon, kështu duke mos përjashtuar as ndjekjen e personave në Kosovë të cilët në të kaluarën kanë qenë pjesë e organizatave terroriste në Siri dhe Irak.
Ndryshe, nesër në ora 11:00 në bazë të kohës sonë do të fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ku pikë e rendit të ditës është edhe votimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...
Musliu: Rahoveci po rreshtohet me Bedri Hamzën
Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me ...
Ndërpritet qarkullimi në segmentin Kijevë-Dollc, bëhet minim...
Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë: Një rikujtim i zymtë i “dësh...