Google ADS

Nesër vendimi i INTERPOL-it për Kosovën

08:05 | 19 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ka mbetur vetëm edhe një ditë kur Kosova do ta marrë përgjigjen përfundimtare mbi kërkesën për anëtarësim në INTERPOL.

Përfaqësuesit e Qeverisë tashmë janë shprehur të vendosur se kjo përgjigje e vendeve anëtare të INTERPOL-it do të jetë pozitive për Kosovën. Pavarësisht kësaj, ata thonë se Serbia nuk po rresht së lobuari kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Gjatë ditës së nesërme (të martën) pritet që në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it të votohet mbi kërkesën e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare.

Me këtë rast, pas votimit nga shtetet anëtare do të bëhet e ditur përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtari i 193-të i INTERPOL-it ose jo.

Dje, kur edhe ka nisur punimet kjo Asamble, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë shprehur të sigurt se Kosova do ta marrë lajmin e shumëpritur gjatë ditës së nesërme.

Se Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it janë shprehur optimistë edhe njohës të sigurisë e përfaqësues të partive opozitare, megjithëse sipas këtyre të fundit institucionet e Kosovës nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme