Mbyllen 15 bastore e kazino në Lipjan

23:47 | 16 Nëntor 2018
A. B.

Inspektorati i Komunës së Lipjanit në bashkëpunim me Administratën Tatimore e Kosovës gjatë së premtes, kanë mbyllur gjithsejtë 15 lokale të lojërave të fatit si bastore dhe kazino në territorin e kësaj komune të cilat nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore për të funksionuar.

Këto lokale janë mbyllur në qytetin e Lipjanit dhe në fshatrat, Sllovi, Janjevë, Gadime, Gllogovc, Topliqanë.

Njëri ndër zyrtarët më kritik ndaj lokaleve të lojërave të fatit gjatë këtij viti ka qenë drejtori i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, Imer Rrustemi.

Ai i ka thënë gazetës se gjatë së premtes, në bashkëpunim me ATK-në kanë mbyllur 15 bastore dhe kazino.

“Gjatë ditës së premte së bashku me ATK-në kemi mbyllë 15 bastore dhe kazino me lojëra fatit të cilat kanë punuar në kundërshtim me Ligjin mbi lojërat e fatit”, ka deklaruar Rrustemi, teksa ka thënë se do të vazhdojë me largimi i bastoreve dhe kazinove nga qyteti të cilat kanë një afërsi më pak se 400 metra nga objektet shkollore, kriter ky të cilën e specifikon ligji në fuqi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme