UP shpall konkursin plotësues për studentë

09:36 | 3 Shtator 2015
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës shpall sot konkursin plotësues për pranimin e studentëve të rinj në studimet bachelor.

Në afatin e dytë do të pranohen rreth 2 mijë e 200 studentë. Drejtues të Universitetin bënë të ditur se në këtë afat kanë hyrë edhe dy programe të reja, ku kandidatët mund të konkurrojnë. Konkursi do të jetë i hapur deri më 17 shtator.

Në pothuajse të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës ka vende të lira për pranimin e studentëve të rinj, por jo në të gjitha programet. Prorektorja për mësim në Universitetin e Prishtinës, Eda Vula, tha për Radio Kosovën, se në shumicën e programeve numri i studentëve është plotësuar që në afatin e parë, ndërkohë, kandidatët e interesuar mund të konkurrojnë që nga sot deri më 17 shtator, sa është i hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj.

“Universiteti i Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e konkursit plotësues në nivelin bachelor dhe në këtë afat do të regjistrohen gjithsej 2296 studentë, prej të cilëve 2126 janë të rregull dhe 170 me korrespodencë. Po ashtu, numër shtesë do të jenë edhe 162 studentë të rregullt nga Lugina e Preshevës dhe Malit të Zi.”

Prorektorja Vula, bëri të ditur se në këtë afat janë edhe dy programe të reja, të cilat janë akredituar së voni, ku kandidatët mund të konkurrojnë.

“Prej programeve të reja kemi programin në Fakultetin e Filologjisë, programi “Ballkanistika”, ku shpallet konkursi për 30 vende të lira, është akredituar së voni dhe në Fakultetin e Ekonomisë për herë ët parë do të kemi një program në gjuhën angleze, është fjala për programin “Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment”, do të jenë 50 vende të lira.”

Vula tha se janë bërë planifikimet me të gjitha njësitë akademike, ku regjistrimi i studentëve do të bëhet më datat 26 dhe 28 shtator, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë më 1 tetor. Ndërsa, sa i përket konkursit për nivelin master, Vula tha se janë duke u finalizuar përgatitjet dhe së shpejti do të bëhet publik edhe konkursi për këtë nivel të studimeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme