Hoti: Zgjedhjet, e vetmja zgjidhje

15:44 | 16 Nëntor 2018
V. S.

 

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” që sa më parë që vendi shkon në zgjedhje, aq më mirë është për vendin.

“Kosova duhet të lirohet nga kjo qeverisje e dëmshme, që po e mbyt perspektivën e shtetit të Kosovës. Vendimet joligjore të Qeverisë po kushtojnë miliona të taksave të qytetarëve. E gjithë Qeveria dhe institucionet tjera të ndërlidhura me të janë shndërruar në mekanizëm në shërbim të interesave të partive në pushtet. Debati për arsim e shëndetësi më të mirë, për reforma në ekonomi e për rritje të punësimit është jashtë fokusit të Qeverisë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, ai ka theksuar se agjenda e liderëve shtetërorë është antikushtetuese dhe po e dëmton rëndë shtetin e Kosovës.

“Agjendat individuale të bartësve të institucioneve, të cilët po veprojnë jashtë kompetencave të tyre kushtetuese, janë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Kosova duhet të lirohet sa më parë nga këta persona. Zgjedhjet e reja janë e vetmja zgjidhje”, ka deklaruar ai. /ZERI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme