Google ADS

Unaza e Re, Basha: Po bëhet spastrim etnik, si serbët ndaj kosovarëve

22:11 | 15 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Real Story”, se prishja e banesave për projektin e Unazës së Re i ngjan një “spastrimi etnik”.

“Nuk mund të shkosh dhe t’u thuash qytetarëve që kanë 24 orë për t’u larguar nga banesat”, nënvizoi Basha.

“E zëmë se projekti është në rregull, problemi elementar është zbatimi dhe respektimi i ligjit për pronën. Kjo që po bëjnë këta është skenar i spastrimit etnik, këtë bënë serbët ndaj kosovarëve. Pra këtu bëhet fjalë për të drejta të patjetërsueshme të banorëve që është shkelur me të dyja këmbët nga organet që duhet ti mbronin”, shtoi kryedemokrati.

Kryedemokrati shtoi se Unaza e Re ka disa afera korruptive, pasi vetë shuma 20 milionë euro e tregon një gjë të tillë.

Basha shpjegoi se çfarë do të bënte Partia Demokratike po të ishte në qeveri:

“Do të bënim konsultim publik, marrjen në konsideratë të mendimit të banorëve dhe do të bënim shpronësimin sipas ligjit, me vlerë tregu të objekteve, edhe atyre të palegalizuar. Banesa është e shenjtë. Kur ka projekte të zhvillimit të infrastrukturës, banesat e palegalizuara dëmshpërblehen sikur të ishin të legalizuara, me vlerën e tregut”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme