Google ADS

A shkoi Gruevski në Hungari nga Shqipëria? Ambasada hungareze preferon të mos komentojë

12:58 | 15 Nëntor 2018
Arbresh.info

Debati se si ish kryeministri nacionalist e populist i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i kërkuar nga drejtësia e vendit, arriti të largohej nga Maqedonia drejt Hungarisë, vijon.

Autoritetet në Shkup, thanë se Gruevski nuk ka dalë nga asnjë pikë e kalimit kufitar të Maqedonisë, në një kohë që Hungaria po shqyrton kërkesën për azil e Maqedonia nisi procedurat e ekstradimit. Kishte dyshime se ai kishte përdorur një pasaportë bullgare, por ministria e Drejtësisë në Sofje e hodhi kategorisht poshtë lajmin, duke thënë se ish kryeministri i Maqedonisë, nuk është nënshtetas i këtij vendi.

Mediat serbe e hungareze më pas dhanë lajmin se Gruevski ka ardhur në Tiranë me pasaportë false; është strehuar në ambasadën hungareze një natë dhe një ditë më pas është nisur me avion nga Rinasi. Raportet ishin të pasakta, në momentin kur përmendej se ai ishte larguar me avionin e linjës “Malev”, kompani ajrore që ka falimentuar vite më parë. Madje, disa media shkruan se ai ka qenë i veshur si femër.

Ambasada hungareze në Tiranë, e kontaktuar nga Top Channel, as nuk pohoi dhe as nuk mohoi raportet e mediave rajonale, por u mjaftua me një përgjigje të thatë se “nuk komentojnë për procese që janë në zhvillim e sipër”, duke iu referuar faktit se kërkesa për azil e Gruevskit po shqyrtohet nga Budapesti.

Teksa Gruevski raportohet se po qëndron në hotelin “Corinthia” të kryeqytetit hungarez dhe mbetet e paqartë se si arriti deri aty, televizioni Alsat në Maqedoni, publikoi edhe foto të qelisë, ku duhet të qëndronte ish kryeministri, e ku të dënuarit ndajnë një banjo, që është në gjendje të keqe dhe nuk ka trajtime preferenciale.

Qelia ku duhej të ishte burgosur Nikolla Gruevski. Foto: Alsat M

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme