Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” edhe sot nuk e ka zhvilluar procesin mësimor duke vazhduar kështu me grevën deri sa atyre t’iu sigurohet një objekt tjetër me kushte më të mira.
Kështu, drejtoresha e kësaj shkolle, Violeta Krasniqi, ka pasur sot një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtoreshën për Arsim në këtë komunë, Arbërie Nagavci, për të biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për ndërprerjen e kësaj greve.
Edhe pse nuk është marrë asnjë vendim definitiv, ata janë pajtuar dhe janë duke shqyrtuar mundësinë që të zhvendosen në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”. Por, për këtë gjë ka mbetur që Drejtoria e Arsimit të komunës së Prishtinës, të bisedojë edhe me drejtorin e shkollës së Mjekësisë, në mënyrë që të lidhin një marrëveshje për lëshimin e njërit nga anekset e kësaj shkolle.
Drejtoresha e shkollës së Muzikës, Krasniqi, bëri të ditur për KosovaPress se ajo tani është duke pritur për një vendim përfundimtar nga ane komunës, nëse do jetë e mundshme kalimi në obje ktin e kësaj shkolle apo jo.
Ajo shtoi se sapo të merr një përgjigje pozitive do të ndërpritet greva menjëherë dhe do të mbahet mësimi derisa të realizohen kushtet për të kaluar në shkollën tjetër.
“Gjatë ditës po presim marrëveshjen se a do të mund të kalojmë në atë objekt, sepse natyrisht edhe nëse vendoset të kalojmë, nuk mund të dalim aty brenda ditës se ka punë për një transferim të një shkolle dhe duhet t’i adaptojmë klasat të cilat janë të mëdha dhe neve nuk na nevojiten si të atilla dhe nevojitet ndërhyrje teknike për adaptimin për nevoja të tona… nëse vendoset që ne të dalim atje dhe fillojnë punimet në atë shkollë, ne do të fillojmë me punën menjëherë sepse ne nuk jemi të interesuar të humbim asnjë orë, sepse natyrisht ku kemi punuar deri tash do ta shtyjmë dhe një muaj a dy, nuk është ajo për ndonjë shqetësim”, tha Krasniqi.
Por, ajo nuk la pa potencuar se për shkak të kushteve të rënda, por, mbi të gjitha për shkak të largësisë nga qendra e qytetit nuk mund të qëndrojnë më gjatë.
Sipas Krasniqit, që nga vendosja e tyre vite më parë në ish-objektin e shkollës së Ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina”, numri i nxënësve ka rënë dukshëm dhe e gjithë kjo për shkak të pamundësisë së tyre për të ardhur deri te kjo shkollë.
“Atëherë sa kemi qenë në shkollën e vjetër, interesimi i nxënësve për çdo vit në shkollë të muzikës ka qenë 200 deri në 300 fëmijë, ndërsa me ardhjen në këtë objekt ka rënë numri i nxënësve të interesuar nën 100. Pra, këtu shihet se kemi një disbalanc në mes të fëmijëve që interesohen të vijnë në shkollë. Nuk është puna te interesimi i fëmijëve sa prindërit nuk kanë mundësi teknike t’i sjellin në këtë objekt. Natyrisht kemi pasur raste edhe kur ka ardhur fëmija është pranuar në shkollë të muzikës dhe kur ka ardhur te dera, duke i parë në çfarë kushte punohet, ka thënë unë këtu nuk hy në këtë shkollë se kjo nuk qenka shkollë”, ka treguar Krasniqi.
Në anën tjetër drejtoresha Arbërie Nagavci, beson që këtë konfirmim do ta dërgojnë gjatë ditës së sotme, në mënyrë që të mund të ndërpritet greva menjëherë dhe të fillojnë punimet për përshtatjen e klasave për shkollë të muzikës.
“Besoj që ne në momentin kur e dërgojmë konfirmimin sepse jemi duke e shqyrtuar të gjitha mundësit teknike për të vazhduar mësimin aty dhe në momentin që ne e dërgojmë konfirmim ata do të vazhdojnë mësimin dhe ne në ndërkohë do të marrim të gjitha aktivitetet për të krijuar kushtet për të punuar në aneksin e shkollës ‘Ali Sokoli’ ”, tha Nagavci.
E sa i përket ndërtimit të një objekti të ri për këtë shkollë, Nagavci tha se ata janë duke u munduar të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme, pasi që, tashmë dihet se punimet për këtë shkollë edhe pse kanë filluar më parë ato janë ndalur për shkak të problemeve pronësore dhe problemeve me projektin.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...