Projekti 13-milionësh nuk përfundon as sivjet

08:14 | 14 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka mbajtur një takim me pronarë të tokave përgjatë të cilave realizohet projekti i zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme – Polluzhë, por vetëm disa nga ata kanë nënshkruar marrëveshjen me anë të së cilës pronarët janë pajtuar që të mos pengojnë vazhdimin e punëve.

Për ata që nënshkruan marrëveshjen Komuna ka garantuar kompensim, ndërsa të tjerët kanë kërkuar që paraprakisht të bëhet kompensimi e pastaj të vazhdojë realizimi i projektit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Edhe gati pas një viti prejse ka marrë timonin e Komunës së Skenderajt kryetari Bekim Jashari nuk ka arritur t’i bindë t’i gjithë pronarët e pronave përgjatë të cilave është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme – Polluzhë që të mos pengojnë realizimin e projektit, ndonëse që në fillim të mandatit Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës kishte ndarë edhe 13 milionë euro të tjera për ta përfunduar komplet projektin nga Klina e Epërme e Skenderajt deri në Komaran të Drenasit.

Nga Polluzha e deri në Klinë të Epërme janë të paktën 5 shtëpi, të cilat duhet larguar (rrënuar), por edhe në disa pjesë të tjera, për shkak të problemeve me shpronësimin disa pjesë të rrugës kanë mbetur pa një shirit të asfaltit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme