Google ADS

Rrëzimi i Qeverisë nga Lista Serbe, i dëmshëm për Kosovën

08:08 | 14 Nëntor 2018
Arbresh.info

Lista Serbe ditë më parë u ka ofruar bashkëpunim partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.

Kjo mbështetje ka ardhur pas vendimit për vendosjen e taksës prej 10% për produktet e Serbisë, megjithatë partitë opozitare edhe pse kërkojnë zgjedhje të parakohshme, janë kundër rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe.

E këtë vendim për rrëzimin e qeverisë nga Lista Serbe nuk e përkrahin as shoqëria civile, ata thonë se Lista Serbe, nuk guxon të jetë arsye e rrëzimit të qeverisë.

Për Arbresh.info Isuf Zejna nga Demokracia Plus, ka thënë pasi opozita po posedon mocion mosbesimi tregon që nuk janë të gatshëm për zgjedhje, e Lista Serbe ka qenë ajo që e ka pru në pushtet Qeverinë Haradinaj.

“Unë mendoj që fakti që opozita posedon mocion mosbesimi është një tregues që nuk është e gatshme për zgjedhje dhe  fakti që flet për qeverinë është një presion për qeverinë aktuale edhe që me mirëmbajt elektoratin ma aktiv, që mundet me pas shumë shpejt zgjedhje dhe me legjitimuar aktivitetin e vet të cilin e ka në kuvend, që po vazhdon ky aktivitet i padëshirueshëm  nga ana e opozitës është e pakuptimtë që deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës me thonë që ne nuk e rrëzojmë qeverinë me votat e Listës Serbe, por lista serbe ka qenë ajo që e ka pru në pushtet qeverinë Haradinaj”, tha Zejna.

Ndërsa hulumtuesi Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se rrëzimi i qeverisë me kërkesë të Listës Serbe do të ishte e dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Për aq kohë sa Lista Serbe vazhdon të mos përfaqësojë vullnetin dhe interesin e drejtpërdrejtë të serbëve në Kosovë, por të jetë përfaqësim i drejtpërdrejtë i politikës së shtetit Serb, vendimmarrësit në vend duhet të jenë shumë të kujdesshëm që vendimet dhe qëllimet e tyre politike të mos faktorizojnë edhe më shumë Listën Serbe në funksionalizimin politik të Kosovës. Kujtojmë se në dy zgjedhjet e kaluara, Lista Serbe ka qenë forcë përcaktuese në formimin e qeverisë, për çka ne edhe kemi qenë kritikues. Mirëpo,  rrëzimi i Qeverisë me nismë apo me kërkesë të Listës Serbe do të paraqiste një precedent të dëmshëm për shtetin e Kosovës”, u shpreh ai.

Gjithashtu thotë se mund të gjejmë shumë arsye pse qeveria duhet të rrëzohet, por Lista Serbe nuk guxon të jetë një nga këto arsyet.

“Të krijohet një praktikë sipas së cilit një mekanizëm politik i diktuar nga një shtet tjetër të ketë fuqi përcaktuese për krijimin dhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dëmton sovranitetin qeverisës të Kosovës. Mund të gjejmë 100 arsye pse qeveria duhet të rrëzohet, mirëpo Lista Serbe për atë që përfaqëson sot, nuk guxon të jetë një nga këto arsye”, përfundoi Kryeziu.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar një dokument që është rezultat i një analize të thelluar të pritjeve të bashkësisë ndërkombëtare mbi këtë fazë të dialogut, kurse propozimet e dhëna janë në pajtim të plotë me praktikat e shteteve tjera dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare që qeverisin marrëdhëniet në mes shteteve.

Ndërkohë edhe portali Arbresh.info, mbrëmë ka raportuar sipas burimeve të afërta me krerët shtetërorë që Qeveria Haradinaj pritet të përballet këto ditë me një mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës. /A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme