Google ADS

Soreca tregon problemet më të rëndësishme mes Shqipërisë dhe BE

23:13 | 13 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, të martën, u shpreh në lidhje me çështjet kryesore që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Përgjatë një interviste për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan, përballë gazetarit Blendi Fevziu tha se ekziston një progres në secilën nga çështjet, por ka ende për të bërë.

Fevziu: Ambasador, cili është problemi më i rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, çështja kryesore?

Ambasadori: Çështjet kryesore janë ato që renditen në mënyrë ndoshta shumë burokratike si pesë prioritetet kyçe. Reforma e administratës publike, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë dhe mbrojta e pakicave.

Fevziu: Me sa më kujtohet, janë po këto të pesta.

Ambasadori: Ka pasur progres në secilin prej tyre, por ka ende shumë për të bërë. Ndaj detyra ime është…

Fevziu: Mes këtyre të pestave kush është më problematike sipas Bashkimit Evropian?

Ambasadori: Mendoj se të gjitha po përparojnë. Ka një kërkesë nga shtetet anëtare, nga Këshilli, nga Parlamenti, nga Komisioni Evropian për t’i forcuar të gjitha së bashku. Më duhet të them se ka shumë vëmendje në këtë çast ndaj asaj që ndodh në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa gjithë gjërat e tjera vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme.

Fevziu: Patëm një diskutim se çfarë do të ndodhë në qershor 2019. Hapja e negociatave do të jetë automatike apo Shqipëria duhet të ketë më shumë rezultate para vlerësimit?

Ambasadori: Nuk ka asgjë automatike.

Fevziu: Nuk ka asgjë automatike? Kjo do të thotë që do të kemi një vlerësim të ri?

Ambasadori: Ne presim që Komisioni Evropian të nxjerrë një raport. Kjo është shkruar në konkluzionet e Këshillit. Do të nxjerrë një raport në pranverë me qëllim që të konfirmojë vlerësimin e vitit të kaluar në bazë të progresit të bërë nga Shqipëria gjatë këtij viti. Dhe pikërisht këtu ne i nxisim autoritetet të vazhdojnë punën e mirë që kanë nisur dhe që i çoi në identifikimin e udhës drejt hapjes së negociatave.  Nuk dua të nënvlerësoj rëndësinë e konkluzioneve të qershorit të kaluar. Për herë të parë Këshilli identifikoi një datë, në të cilën do të merret vendimi për hapjen e negociatave. Por, le të jemi të sinqertë, ky është fundi i fillimit, jo fillimi i fundit.

Fevziu: Po, absolutisht. Por, Ambasador, kemi dy vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian dhe refuzim nga shtetet anëtare.

Ambasadori: Është e drejta e disa prej shteteve anëtare të marrin këtë pozicion.

Fevziu: Është sepse mendojnë ndryshe nga Komisioni Evropian apo sepse ka antishqiptarizëm apo fobi antishqiptare në disa nga shtetet evropiane?

Ambasadori: Jo, dua të jem shumë, shumë i qartë këtu. Nuk ka albanofobi.Ekziston një nevojë e qartë që Shqipëria të trajtojë disa çështje specifike që prekin disa shtete anëtare. Dhe pikërisht këtu Bashkimi Evropian po e ndihmon Shqipërinë, bashkë me shtetet anëtare të interesuara, që t’i trajtojë këto çështje specifike.

Fevziu: Po mes këtyre çështjeve, sipas Bashkimit Evropian, cila është çështja ku qeveria shqiptare duhet të fokusohet më shumë?

Ambasadori: Unë shpresoj që qeveria shqiptare do të fokusohet tek të gjitha çështjet që kemi ngritur në raportin e Komisionit, në konkluzionet e Këshillit. Duhet që ata të arrijnë rezultate për këto çështje me qëllim që të arrihet një zgjidhje pozitive në qershor. Dhe ne, Bashkimi Evropian,shpresojmë vërtet se nëse do të ndodhë kështu, Shqipëria meriton të nisë negociatat e anëtarësimit me qëllim që të përparojë më tej, pasi ajo që është vërtet e rëndësishme, më lejoni ta them këtë, eshte se fillimi i negociatave do t’i japë aftësi shtesë qeverisë shqiptare që të ecë përpara me reformat. Ky nuk është fundi, është fillimi.

Fevziu: Por, Ambasador, problemi është si do të ndikohet vendimi i qershorit nga zgjedhjet evropiane të majit 2019?

Ambasadori: Natyrisht qe zgjedhjet evropiane do të keni një dimension evropian. Progresi që do të bëjë ose nuk do te beje qeveria shqiptare, as nuk do të influencohet,as nuk do të influencojezgjedhjet evropiane. Ndaj, nëse qeveria shqiptare, nëse Shqipëria, ecën përpara siç ka bërë në të kaluarën, dhe ne shpresojmë se Shqiperia do të vazhdojë ta bëjë kete gje edhe tani, drejt qershorit 2019, zgjedhjet për në Parlamentin Evropian nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në këtë ceshtje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme