Google ADS

Amnesty International i heq nderimin Aung San Suu Kyi

20:34 | 13 Nëntor 2018
A. B.

Liderja e Mianmarit, e njohur edhe si liderja e rezistencës paqësore, ka marrë ndëshkimin e parë për injorimin e krizës së minoritetit rohingia. Amnesti Amnesty International i ka hequr Aung San Su Ki çmimin e ambasadores së ndërgjegjësimit.

Amnesty International i ka hequr lideres de fakto të Mianmarit, Aung San Su Ki nderimin më të lartë, atë të Ambasadores së Ndërgjegjësimit.

Politikania dhe fituesja e Nobelit për Paqen e mori çmimin në fjalë në vitin 2009, kur vazhdonte të jetonte në arrest shtëpie.

Grupi i të drejtave të njeriut deklaroi se ndihej thellësisht i zhgënjyer për heshtjen e Su Ki në lidhje me rastin e minoritetit rohingia, që u zhvendos për shkak të një ofensive ushtarake. Bëhet fjalë për një nga çmimet e shumta që Su Ki, 73 vjeç, ka humbur që nga nisja e krizës në kufi me Bangladeshin. “Ndjejmë keqardhje që ju nuk përfaqësoni më simbolin e shpresës, kurajës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Kumi Naido.

Në një letër dërguar asaj që dikur njihej si liderja e rezistencës paqësore, Naido u shpreh se, mohimi i situatës së rëndë dhe masakrave kundër rohingiave është tregues se ka pak shanse që situata e tyre të përmirësohet. Organizata e bëri publik vendimin e saj në 8-vjetorin e lirimit të Su Ki nga arresti shtëpiak, ku e kishte dënuar diktatura e Birmanisë.

Ajo erdhi në pushtet si liderja de fakto e shumicës budiste të Mianmarit në 2016-n dhe që prej atëherë është ndodhur nën presion ndërkombëtar për të dënuar brutalitetin e ushtrisë ndaj minoritetit rohingia, por deri më sot ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

Madje, pak kohë më parë Su Ki mbrojti burgosjen e dy gazetarëve të “Reuters” që po hetonin vrasjet në radhët e komunitetit mysliman.

 

Të ngjashme