Google ADS

Gashi paralajmëron embargo ndaj Serbisë

19:07 | 13 Nëntor 2018
A. B.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se vendosja e taksës prej 10 % nga ana e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një vendim që do të sjellë të mira financiare për Kosovën.

“Efektet e këtij vendimi maten çdo ditë, po ju përkujtoj se nga Serbia në muaj importojmë 36-40 milionë euro”.

“Nëse llogarisim 10 % i bie që përfitojmë 4 milionë euro në muaj, rrjedhimisht për 12 muaj janë 48 milionë euro, pra efekti është shumë i madh”.

Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ky vendim mund të mos zgjasë shumë, pasi sipas tij, kjo taksë mund të rritet.

“Shpresoj se ky vendim do të pësojë ndryshim se nëse vazhdon me të njëjtin avaz Serbia të sulmojë dhe bllokojë Kosovën në çdo arenë, Qeveria do të ndryshojë vendimin duke marrë masë më drastike dhe do të vendosë përqindje më të madhe”.

“Nëse edhe pas kësaj, Serbia ende vazhdon, atëherë do të shkojmë me embargo total ndaj produkteve të Serbisë”.

Sipas zëvendësministrit të Financave, ky vendim do të ndikojë pozitivisht edhe tek prodhuesit vendorë.

“Pjesa kryesore e fitimit është sensibilizimi i qytetarëve në blerjen e produkteve vendore, pra që të mësohen të blejnë produkte vendore”.

“Nuk mund të flasim për 3-4 ditë or me kalimin e kohës, prodhuesit vendorë do t’ia shohin hajrin këtij vendimi. Me rritjen e dinamikës së shitjes, do ta rrisin kualitetin dhe do të gjejnë pozicionin e tyre”.

“Nëse disiplinohet Serbia, qytetari do të mësohet me produktet tona ose produktet tjera. Nuk ka asnjë lloj produkti Serbia që nuk ka në botë, por është shumë me rëndësi që shumë produkte prodhohen edhe në Kosovë që kanë pasë dhe konkurrencë jolojale në tregun tonë”.

“Është shumë me rëndësi të sensibilizojmë qytetarin tonë”.

Gashi e ka cilësuar vendimin për vendosjen e taksës prej 10 % për produktet e Serbisë si një ‘vendim të guximshëm’.

Madje, ai ka insistuar se kjo taksë do të pësojë rritje, në rast se Serbia nuk ndalë lotimet dhe bllokimet ndaj Kosovës dhe pozitës së saj në organizatat ndërkombëtare.

“Është vendim i guximshëm dhe është vendim që asnjë Qeveri nuk e ka marrë – Qeveria Haradinaj e ka marrë vendimin”.

“Kjo masë prej 10 % mund të zgjasë shkurt por do të rritet, nëse Serbia vazhdon të njëjtin avaz, unë po ju garantoj që Qeveria Haradinaj do të shkojë edhe me rritjen më të fuqishme të përqindjes”.

“Qytetarët duhet t’i besojnë kësaj mase se ky kryeministër nuk di proces që ka nisë dhe nuk e ka dërguar deri në fund”.

Gashi ka mohuar se kjo masë e vënë për produktet serbe ka ndonjë ndërlidhje me dialogun me Serbinë.

“Nuk është masë që lidhet me dialog – është masë që është marrë si nevojë e kohës, nuk mundet Serbia që të vijë dhe t’i marrë 3-4 miliardë në Kosovë dhe të sulmojë Kosovën tërë kohën”.

 

Të ngjashme