Kadaj-Bujupi: Shtesat e fëmijëve ka mundësi të rriten në vitet e ardhshme

08:46 | 13 Nëntor 2018
V. S.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, që ka iniciuar miratimin e rezolutës për shtesat e fëmijëve, ka bërë me dije se kjo rezolutë do të fillojë të zbatohet nga viti 2019.

Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se shtesat e fëmijëve ka mundësi të rriten në vitet e ardhshme me rritjen e buxhetit.

Sipas Kadajt-Bujupit, është shumë e rëndësishme që kjo çështje është mirëpritur nga qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët për herë të parë në Kosovën e pasluftës realizojnë

për fëmijët e tyre një të drejtë universale.

“Jemi shumë të bindur që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do ta zbatojë rezolutën brenda vitit 2019 siç edhe kërkohet në pikën 2 të kësaj rezolute. Është vetëm një nismë e cila ka mundësi të rritet përgjatë viteve me rritjen e buxhetit. Është shumë e rëndësishme që kjo çështje është mirëpritur nga qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët për herë të parë në Kosovën e pasluftës realizojnë për fëmijët e tyre një të drejtë universale. Nëse ju kujtohet, pensionet i filluam me 24 euro në muaj, kurse tani janë mbi 90 euro

pas vendimit të fundit të marrë nga kryeministri Haradinaj, me ç’rast pensionet bazë janë rritur për 15 për qind, kurse pensionet kontributdhënëse për 10 për qind”, ka deklaruar Kadaj- Bujupi.

Ajo ka treguar se me anë të kësaj rezolute Kuvendi i kërkon Qeverisë që sa më parë ta hartojë dhe zbatojë legjislacionin për ndarjen e shtesave për fëmijë.

Po ashtu, bazuar në këtë rezolutë, shuma e shtesave për fëmijët do të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse, duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve./epoka e re/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme