Nesër hapet konkursi për konvikte, afro 3600 studentë do të pranohen

14:56 | 2 Shtator 2015
M. A.

Edhe këtë vit Qendra e Studentëve do të pranojë studentët e rinj për të banuar dhe ushqyer në konviktet dhe mensën e studentëve në Prishtinë.

Siç njoftohet nga Qendra e Studentëve konkursi hapet që nga nesër dhe vazhdon deri më 11 shtator.

Në njoftimin e Qendrës bëhet e ditur se gjatë këtij viti do të pranohen afër 3600 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim,studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

“ Duke qenë se Kosova tashmë ka një numër të madh të studentëve dhe kapacitetet e Qendrës së Studentëve nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha kërkesat, janë vendosur kriteret për pranim, kriter themelor për të aplikuar është që kandidati të jetë student i rregullt në UP, nota mesatare e studentëve, largësia nga kryeqyteti,etj”, thuhet në komunikatë.

Siç theksohet përparësi pranimi do të kenë studentët që vijnë nga kategoritë e ndryshme të luftës dhe me gjendje të rëndë sociale.

Çmimi do të jetë 35 euro për muaj ( 20 euro banimi, 15 euro ushqimi).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme