Google ADS

Vjen reagimi i Sekretariatit të CEFTA-s rreth taksës për produktet serbe

09:29 | 12 Nëntor 2018
M. A.

Qeveria e Kosovës javën që shkoi mori vendim që të vendosë taksë prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bonja e Hercegovina. Ky vendim i qeverisë  së Ramush Haradinaj ngjalli shumë reagime në vend por edhe nga ndërkombëtarët.

Madje, u tha se Kosova rrezikon të përjashtohet nga marrëveshja e CEFTA-s, ku sipas disa ekonomistëve, Kosova ka bërë shkelje të kësaj marrëveshje.

Por, për të përjashtuar Kosovën nga kjo marrëveshje duhet që shtetet anëtare të bëjnë kërkesë lidhur me këtë çështje dhe pastaj vendosin. Kështu thotë sekretariati i CEFTA-së në një përgjigje për portalin arbresh.info.

“Marrëveshja CEFTA-s është në pronësi të Palëve të cilat janë anëtare të CEFTA-s dhe vetëm ato mund të vendosin nëse ka ose nuk ka ndonjë shkelje të Marrëveshjes. Procedurat për këtë janë përcaktuar në Marrëveshje dhe Sekretariati i CEFTA-s do të mbështesë teknikisht palët që kanë ndonjë kërkesë lidhur me çështjet procedurale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

CEFTA kërkon që të gjitha shtete anëtare të zbatojnë dispozitat e marrëveshjes CEFTA dhe të gjitha veprimet e ndërmarra duhet të jenë në kuadër të marrëveshjes.

“Sipas mandatit të saj, Sekretariati i CEFTA-s është organi teknik i Marrëveshjes së CEFTA-s. Në këtë moment lidhur me pozitën e Sekretariatit të CEFTA-s, në lidhje me masat të cilat ju iu referoheni, është që të gjitha palët e CEFTA-s duhet të zbatojnë dispozitat e Marrëveshjes CEFTA dhe se të gjitha veprimet e ndërmarra duhet të jenë në kuadër të Marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Diskutime për taksën pati edhe ne Bruksel në takimin mes presidentit të Kosovës, Hashijm Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Këto diskutime nuk patën ndonjë rezultat.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, vazhdon t’i rezistojë kësaj marrëveshje duke thënë se nuk do të kthejnë vendimin pas, por, sipas tij taksa vetëm mund të rritet nëse vazhdon kështu qasja e Serbisë ndaj Kosovës.

Ministri aktual i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i cili e paraqiti kërkesën në mbledhjen e qeverisë tha se nuk do të zmbrapsen karshi këtij vendimi.

Po ashtu edhe ish-ministri i  Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani u deklarua për arbresh.info se Kosova duhet t’i vendos taksë deri 30 për qind Serbisë. Por, ai ishte skeptik lidhur me qëndrueshmërinë e këtij vendimi.

Edhe eksperti i ekonomisë, Musa Limani tha se vendimi i qeverisë ishte i duhur sepse sipas tij, kur dy shtete nuk kanë politikë të shëndoshë nuk mund të kenë as raporte të mira ekonomike. Ai kritikoi Bashkimin Evrpian për siç i quante ai “vendosjen e standardëve të dyfishta” për Kosovën.

Kundër këtij vendimi doli Maja Kocijancic, zëdhënëse e Komisionit Evropian e cila kërkoi nga qeveria e Kosovës që ta shqyrtojë edhe një herë këtë vendim.

Po ashtu edhe analisti, Lulzim Beqiri, tha se Kosova ka bërë shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s dhe që sipas tij vendimi do të kthehet pas nga presioni që do të ketë Kosova nga Bashkimi Evropian./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme