Dalja e Listës Serbe në opozitë, sfidë serioze për Qeverinë

09:25 | 12 Nëntor 2018
Arbresh.info

Njohësi i proceseve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka vlerësuar se dalja e Listës Serbe në opozitë paraqet sfidë serioze për Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se tani Lista Serbe mund t’ia sigurojë numrat opozitës për ta rrëzuar Hardinajn. Por, Maliqi ka theksuar se ende nuk dihet nëse kjo lidhet me pakënaqësinë e Listës Serbe për taksën ndaj produkteve serbe apo është instrument që i shërben Beogradit për thellimin e përçarjeve në mes të partive shqiptare në fazën më delikate të finales së dialogut.

“Dalja e Listës Serbe në opozitë paraqet sfidë serioze për Qeverinë Haradinaj, sepse ajo kërcënon se do të votojë çdo mocion kundër Qeverisë, duke ia siguruar kështu numrat që i mungonin opozitës për ta rrëzuar Hardinajn. Mirëpo, kjo ‘ofertë’ gjeneroze, ndonëse e përshëndetur nga Lëvizja Vetëvendosje, mund të jetë edhe ‘e helmuar’. Nuk është e qartë nëse kërcënimi lidhet vetëm me pakënaqësinë e Listës Serbe me taksën për produktet serbe. Mund të jetë se kjo i shërben Beogradit si instrument për thellimin e përçarjeve mes partive shqiptare në fazën më delikate të finales së dialogut”, ka theksuar ai, duke shtuar se opozita nuk mund të jetë krejtësisht komode për pranimin e ofertës së Listës Serbe. Sidoqoftë, Maliqi ka deklaruar se mbetet të shihet në ditët e ardhshme se si do të reagojnë të gjithë subjektet relevante, para së gjithash, LDK-ja dhe PSD-ja.

“Partitë e opozitës nuk mund të janë krejtësisht komode për pranimin e kësaj ‘oferte’! Nga ana tjetër, presidenti Thaçi ka paralajmëruar kundërmasën, nëse kalon mocioni, e rekonstruimit të Qeverisë me një koalicion tjetër, me Haradinajn ose edhe pa të, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e parakohshme që do të mund të bëhen pengesë për realizimin e marrëveshjes historike me Serbinë, siç është projektuar nga BE-ja dhe ShBA-ja, deri në pranverë. Mbetet të shihet në ditët e ardhshme se si do të reagojnë të gjithë subjektet relevante, para së gjithash LDK-ja dhe PSD-ja, duke i analizuar të gjitha pasojat e mundshme të zhvillimeve që rrjedhin nga ky kërcënim i Listës Serbe, përkatësisht Beogradi”, është shprehur Maliqi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme