Krahas largimeve, shtohet numri i serbëve që duan t’i bashkohen FSK-së

08:26 | 12 Nëntor 2018
arbresh.info

Ndonëse këtë vit rreth 50 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb, kanë bërë kërkesë për largim nga puna, pasi po përballen me presione direkte nga Serbia, ende ka të atillë që duan t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fatmir Sheholli nga Instituti për Afirmim të Marrëdhënieve Ndër-etnike ka thënë për abresh.info se përkundër presioneve që u janë bërë dhe që po u bëhen komunitetit serb që të mos jenë pjesë e FSK-së ende ka kërkesa nga qytetarët serb për të qenë pjesë e këtij komuniteti.

“Instituti për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike ka realizuar disa hulumtime lidhur me çështjen e presioneve që u janë bërë dhe që po ju bëhen komunitetit serbë që të mos jenë pjesë e FSK-së. Përkundër presioneve të fuqishme që po i bënë Beogradi zyrtar por edhe oponentë politik të Listës Serbe në komunitetin serb, veçanërisht në Veri të Kosovës neve si Institut na janë ofruar 22 serbe të cilët janë të interesuar të bëhen pjesë e FSK-së”, ka thënë ai.

Sheholli ka thënë se i kanë informuar Institucionet e Republikës së Kosovës për këtë kërkesë.

Ne si Institut i kemi informuar institucionet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë Ministrinë e FSK por edhe komisionin parlamentar të Forcës së Sigurisë së Kosovës për interesimin e serbëve të rinjë që dëshirojnë të jenë pjesë e FSK-së. Besoj që në një të ardhme të afërt këta serbë do të bëhen pjesë e FSK-së”, është shprehur ai.

Ibrahim Shala nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se këta pjesëtarë mund të aplikojnë në momentin që hapet konkursi.

“Në momentin e parë kurë do të hapet konkursi i përgjithshëm për rekrutim të pjesëtarëve të rinj të FSK-së, ata do të mund të aplikojnë. Këta të rijnë do të aplikojnë si gjithë të tjerët. Ne si Ministri e Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i inkurajojmë për veprimet e tyre, kurse që  t’i  kenë procedurat aplikimit sa më të qarta do t’i njoftojmë  përmes fushatës mediale edhe në gjuhën serbe”, ka thënë Shala.

Ai e komentoi edhe interesimin e tyre pas dorëheqjeve të shumta nga ky komunitet nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Kjo dëshirë  e të rinjve për aplikim pas dorëheqjeve të disa pjesëtarëve të FSK-së, dëshmon fuqinë  e besimit në FSK, trajtimin e drejtë dhe dinjitoz që është bërë për pjesëtarët e komunitetit serb në FSK, dhe përspektivën e garantuar si qytetarë të rinjë të Kosovës në ngritje profesionale”, ka shtuar ai./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme