Nuk ka pasë në historinë e njerëzimit një vrasje që ka pasë pasoja më të mëdha, më tragjike, më të tmerrshme për gjithë Botën, për krejt njerëzimin.
Në Sarajevën e 28 qershorit të vitit 1914-të, një grup i serbëve të ri të Bosnjës dhe Hercegovinës, të bashkuar rreth organizatës ‘Bosnja e Re’ (‘Mlada Bosna’), prapa të cilës qëndronte shteti i Serbisë me strukturën e vet të ‘Dorës së Zezë’ (‘Crna Ruka’), do ta vriste Arkidukën Franz Ferdinandin, trashëgimtarin 50 vjeçar të Perandorisë Austro-Hungareze.
Shumë vite më vonë, në Sarajevë, diplomati i madh amerikan, Richard Holbrooke, në njërën prej vizitave të tij këtij qyteti të rrethuar nga forcat serbe, të cilat po i kryenin krimet më të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, do të thoshte në mënyrë të prerë: Gavrillo Princip, vrasësi i Franz Ferdinandit, ka qenë një terrorist, dhe akti i tij nuk mund dot t’i shmanget vlerësimit që ka qenë vepër terroriste.
Në njëqindvjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila më së shumti do të njihet si ‘Lufta e Madhe’ (Lufta e cila do të duhej t’i jepte fund të gjitha luftërave, etj.etj.), historiani i njohur anglez, Max Hastings, do ta botojë librin e tij ‘Katastrofa’.
Në këtë libër, Hastings në mënyrë të shkëlqyeshme ka përshkruar gjithë rrjedhën e kësaj lufte, për fillimin e së cilës, realisht, nuk ka pasë arsye të bollshme, sepse Evropa ka qenë në vrullin e zhvillimit shkencor dhe teknologjik, ndërsa objektivisht, niveli i armiqësive midis dy kampeve të mëdha evropiane, nuk ka qenë i tillë saqë domosdoshmërisht do të çonte në hapjen e istikameve dhe në fillimin e luftës.
Në njërën anë ishin asokohe Gjermania dhe Austro-Hungaria, në anën tjetër, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia.
Por vrasja e Franz Ferdinandit, përmbysi gjithë politikën dhe historinë evropiane dhe botërore, dhe atë, për disa arsye.
Franz Ferdinandi, sipas Max Hastingsit, ishte kundërshtar i madh i luftës, veçmas i çfarëdo skenari të armiqësisë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Ai në një rast, në një deklaratë profetike kishte thënë: ‘Kurrë nuk do ta nisi një luftë kundër Rusisë. Lufta në mes të Austrisë dhe Rusisë do të përfundojë me humbjen e pushtetit të dinastisë së Romanëve (në Perandorinë e Rusisë), me humbjen e pushtetit të Habsburgëve (në Perandorinë e Austro-Hungarisë), ose me fundin e te dy dinastive’.
Arkiduka Ferdinand, kishte pasë të drejtë. Kështu edhe do të ndodhte. Te dy Perandoritë do të bëheshin shhrumb e hi në këtë luftë.
Pastaj, Beogradi zyrtar i Mbretërisë së atëhershme të Serbisë, do të refuzonte të bashkëpunonte me autoritet e Austro-Hungarisë, për dorëzimin e organizatorëve të vrasjes. Rusia do t’i ndihmonte Serbisë në këtë qëndrim. Gjermania do ta mbështette Auustro-Hungarinë, Franca dhe Britania Rusinë (dhe Serbinë), dhe kështu do të plaste lufta.
Siç dihet, mee 11 nëntor të këtij viti, po shënohet njëqindvjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Nëntori si muaj, do të ketë brenda vetes, në një distancë prej vetëm dy ditësh, dy datat më të rëndësishme të historisë së Evropër gjatë Shekullit XX.
Me 11 nëntor të vitit 1918, do të merrte epilogun e vet Lufta e Parë Botërore.
Me 9 nëntor, 1989, apo 71 vjet më pas, do të niste rrënimi i Murit të Berlinit, me ç’gjë do të merrte fund Lufta e Ftohtë, e treta Luftë Botërore.
Natyrisht, ka lidhje të drejtpërdrejtë në mes të 28 qershorit të vitit 1914-të, kur u vra trashëgimtari i fronit të Perandorisë Austro-Hungareze, 11 nëntorit të vitit 1918-të, kur u arrit paqja në Luftën e Parë Botërore dhe 9 nëntorit të vitit 1989, kur mori fund ‘Lufta e Ftohtë’.
Sipas historianit të madh britanik, Eric Hobsbawm, dy datat që lidhin vitet 1914-të dhe 1989-të, shënojnë jetëgjatësinë e Shekullit XX, mbase, siç kishte thënë ai, shekullit më të shkurtër në historinë e njerëzimit.
Shekulli XIX, sipas tij, kishte nisë me fundin e Napoleonit, Koncertin e Vjenës të shteteve fituese ndaj Perandorit francez, apo, me vitin 1815-të dhe kishte marrë fund në atë 28 qershorin e vitit 1914, me plumbat e Gavrillo Principit në Sarajevë.
Pra, historianët më në zë të Perëndimit në masë të madhe pajtohen që është një rrjedhë e pandashme dhe e pandalshme historike që në Evropë dhe në Botë nisë me vrasjen e Franz Ferdinandit, dhe merr fund me shembjen e Murit të Berlinit.
Së paku 80 milionë veta janë vrarë në dy Luftërat Botërore.
Komunizmi, Nazizmi dhe Fashizmi do të bëheshin ideologji të fuqishme në Evropë.
Do të kryheshin krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit.
Do të zbulohej arma bërthamore, që sot e kësaj dite kërcënon me shfarosjen e qenies njerëzore.
SHBA-ja do të detyrohej të bëhej fuqi evropiane, në mbrojtje të Qytetërimit evropian perëndimor, i cili dy herë do të ia mësynte vetë-shkatërrimit, dhe një herë do të gjindej një hap humnerës për shkak të Bashkimit Sovjetik që do ta okuponte gjysmën e Evropës.
Krijimi i Paktit NATO dhe i Bashkimit Evropian poashtu janë pjesë e kësaj rrjedhe historike.
Sidoqoftë, kur tani shënohet njëqind-vjetëshi i fundit të Luftës së Parë Botërore, dhe kur bëhet një lloj i rekapitullimit të gjithë kësaj historie njëshekullore, mund të thuhet që nuk ka pasë për vite dhe për decenie (së paku që nga viti 1989-të e këndej), situatë më të ndërlikuar, më të vështirë, më të rëndë, më të paqrtë për Evropën dhe Perëndimin se sa tani.
Së pari, duket që më Perëndimi politik, i cili u krijua në gërmadhat e Berlinit, në vitin 1945, nuk ekziston më. Dallimet politike në mes të SHBA-së dhe BE-së, dhe brenda BE-së, janë aq të mëdha, saqë mëdyshin me themel konceptin e Perëndimit politik.
Së dyti, SHBA-ja e Administratës së Presidentit Trump, ka larguar Amerikën nga Evropa më shumë se asnjëherë më parë, që nga ato vitet e para të pas-Luftës së Parë Botërore.
Për më shumë, Trump nuk ka kurfarë ndjenje simpatie për BE-në dhe as interes për bashkëpunim me BE-në.
Së treti, Britania e Madhe, së shpejti, brenda pak muajsh, do të largohet nga BE-ja, për tu kthyer në realitet, në atë situatën e pas Luftës së Parë Botërore.
Së katërti, vetë Bashkimi Evropian ka hyrë në krizën më të madhe të identitetit të tij, e cila mund të merr përmasat edhe të rrezikimit të mbijetesës së BE-së, së paku në këtë formën e tanishme organizative.
Së pesti, Rusia tash e sa vjet i është ri-kthyer identitetit të saj primar të konfrontimit me Perëndimin, i cili megjithatë, ende nuk ka marrë formën e një kërcënimi të luftës.
Kur këto pesë konstatime bëhen së bashku, konkludimi që nxirret bashkon frikën, dëshpërimin, paqartësinë për fatin e Evropës dhe të Perëndimit, pikërisht në njëqindvjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.
Sa na përket neve, si shqiptarë, si komb, shënimi i një shekulli të mbarimit të Luftës së Parë Botërore, gjithashtu risjell një vlerësim të gjithë kësaj rrjedhe historike.
Atje njëqind vjet më parë, Serbia ishte në pikën më të lartë të fuqisë së vet historike dhe politike, Shqipëria mezi do të shpëtonte si shtet i pavarur, Kosova do të hynte në periudhën më të errët të saj, kur do të rrezikohej substanca kombëtare shqiptare.
Në nëntorin e vitit 2018, në dhjetëvjetorin e ekzistencës së shtetit të Kosovës, flamuri i Kosovës u valvit në Katedralën Notre-Dame të Parisit, Shqipëria është shtet anëtar i Paktit NATO, Serbia doli humbëse në disa luftëra që i shkaktoi në vitet e nëntëdhjeta.
Sidoqoftë, elitat politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, do të duhej të kuptonin që Evropa dhe Perëndimi janë në një fazë ku ka gjithnjë e më pak qartësi dhe gjithnjë e më shumë ndërlikime të rrezikshme.
Natyrisht, për Kosovën dhe Shqipërinë tjetër fat dhe tjetër rrugë politike dhe qytetëruese nuk ka pos Evropës dhe Perëndimit.
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë
Sot seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë shqyrton projektbux...
Kryeministri rumun i reagon Kurtit për ndeshjen Rumani–Kosov...
Reagon legjenda e Hungarisë pas skenave rrëqethëse ku mbeti ...
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”