Pastrohet lokacioni afër Kampusit universitar, gjenden edhe shiringa e mbetje shtazore

16:47 | 8 Nëntor 2018
Arbresh.info

Mbi 60 thasë me mbeturina janë larguar nga aksioni i sotëm në Prishtinë, të cilit iu bashkuan dhjetëra vullnetarë për pastrimin e brezit të rrugës “Xhorxh Bush” dhe hapësirave afër Radio Kosovës dhe Kampusit Universitar.

“Aksioni i sotëm filloi nga ora 09:00 ndërsa u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nga 15 shtatori deri më tani ka rezultuar me pastrimi e mbi 400 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën”, bëhet e ditur në këtë komunikatë.

Për ekipin e Let’s Do It shqetësuese ka qenë identifikimi i shiringave dhe mbetjeve shtazore në një hapësirë kaq të frekuentuar të kryeqytetit, ku kalojnë çdo ditë me qindra qytetarë.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj edhe njëherë apeloi te qytetarët që të jenë të kujdesshëm me mjedisin dhe t’u bashkohen aksioneve të pastrimit që po realizohen në kuadër të Fushatës.

“Sot, jemi këtu në mes të qendrës së kryeqytetit, ku po shohim numër të madh të mbeturinave. Është pikërisht vend ku kalojnë numër i madh i qytetarëve. Vet ne, qytetarët dhe institucionet duhet të kemi kujdes me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit sepse nëse nuk kemi atëherë nuk kemi nevojë as ta pastrojmë. Aksioni ta pastrojmë Kosovën po vazhdon deri tash janë heq mbi 400 deponi”, ka thënë Hasanaj.

Ai bëri të ditur se dje ka përfunduar aksioni disa ditor në Komunën e Vushtrrisë për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në këtë Komunë, nga ku janë larguar mbi 300 kamionë me mbeturina.

Po ashtu, Let’s Do It ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, për pastrimin e deponive më të mëdha ilegale në tërë territorin e Kosovës si dhe aktivitetet e tjera për ngritjen e vetëdijes te qytetarët për ruajtjen e mjedisit dhe hedhjen e mbeturinave vetëm në vendet e lejuara.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nisi më 15 shtator, do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme