Google ADS

Dje u rikthy, sot prapë pezullohet drejtori i AZHB-së, Elhami Hajdari

19:37 | 7 Nëntor 2018
V. S.

Dy vendime kundërthënëse janë marrë brenda 24 orëve nga ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo për ish-kryeshefin e ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Vendimin e parë, Rikalo e ka marrë me datën 6 nëntor me të cilin e ka rikthy në punë ish-kryeshefin e pezulluar. Këtë vendim e ka mbështetur në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës dhe vendime të gjykatës.

Ndërsa, sot me 7 nëntor, Rikalo e ka nënshkruar vendimin tjetër me të cilin e pezullon edhe njëherë Hajdarin nga pozita e kryeshefit. Në vendimin e dytë janë listuar disa arsye për shkarkim e që janë të ndryshme prej vendimit të parë për suspendim të muajt maj.

Elhami Hajdari ka thënë për Kallxo.com se ende nuk ka pranuar asnjë vendim për kthimin e tij në punë, por as për suspendimin e tij.

“As vendim për kthim në punë e as vendim tjëtëe për suspendim zyrtarisht nuk kam. Vendimin e fundit që e kam marr është ai i majit për suspendim” Elhami Hajdari

Vendimi i parë

Elhami Hajdari është rikthyer në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Nenad Rikalo ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit të tij paraprak për pezullim parandalues nga puna me pagesë të Elhami Hajdarit, Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në MBPZhR.

Ky vendim është marrë sipas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të datës 10 korrik, aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më 17 shtator dhe sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, i datës 18 tetor.

Në vendimin e parë thuhet se Hajdarit do t’i paguhet 50% i pagës për muajt sa ka qenë i suspenduar, nga data 5 maj deri më datën 5 nëntor.

Hajdari ishte pezulluar nga puna në muajin maj të këtij viti nga ministri Nenad Rikalo.

Ministri Nenad Rikalo ka pezulluar nga puna kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari, për një rast i cili ishte mbyllur nga Prokuroria 8 muaj më parë.

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, ka marrë vendim për pezullim nga puna të Kryeshefit të AZHB-së me pretendimin se i njëjti dyshohet për kryerje të veprës penale. Por Prokuroria e Shtetit thotë se hetimet janë mbyllur në shtator të vitit të kaluar për vepën të cilën e përmend ministri.

Në vendimin për pezullim nga puna të kryeshefit ekzekutiv të AZHB-së, Elhami Hajdari, të cilin e ka marrë tri ditë më parë ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, thuhet se pezullimi është bërë për shkak, që siç shkruan në vendim “dyshimit lidhur me rastin me numër PP.467/16 të datës 23.08.2016 në drejtim të dy veprave penale: kanosje dhe keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së”.

Vendimi i dytë

Një ditë pasi ishte marrë vendimi për kthimin e Elhami Hajdarit në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ministri Nenad Rikalo ka nënshkruar një vendim tjetër për pezullimin e Hajdarit nga kjo pozitë me 7 nëntor.

Elhami Hajdari, sipas vendimit të datës 7 nëntor, është pezulluar nga 8 nëntori për shkak të raportit të Policisë së Kosovës, raportit negativ të Auditorëve, raportit të BE-së, ankesave të fermerëve dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së të punësuarës e cila ka qenë në pushim të lehonisë./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme