Zaev: Ndryshimet kushtetuese do të vlejnë nëse Greqia ratifikon marrëveshjen

15:19 | 7 Nëntor 2018
A. B.

Kryeministri Zoran Zaev sot në seancën e Komisionit për Çështje Kushtetuese, tha se me amendamentet e qeverisë nuk do të ndryshohet asgjë nga identiteti maqedonas. Zaev shtoi se ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në fuqi kur Greqia të ratifikojë marrëveshjen dhe kur të nënshkruhet protokolli për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të përfundojë me vendimin e deputetëve me shumicë prej dy të tretave, ndërsa do të hyjnë në fuqi kur Greqia do ta ratifikojë marrëveshjen dhe kur të nënshkruhet protokolli për anëtarësimin e vendit në NATO. Ndryshimet kushtetuese do të vlejnë nëse Greqia ratifikon marrëveshjen. Nëse Greqia nuk përmbush obligimet e saj, ndryshimet kushtetuese nuk do të vlejnë”, tha mes tjerash Zaev, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se në preambulën e Kushtetutës do të jetë e qartë se themeli i shtetit është i vendosur mbi ASNOM-in dhe jo mbi deklaratat politike.

Ndërsa sa i përket Marrëveshjes së Ohrit ai tha se pjesët më të rëndësishme të saj janë të vendosura në Kushtetutë, ndërsa shumë nene të Kushtetutës kanë dalur nga Marrëveshja e Ohrit.

Ai ju bëri thirrje edhe një herë deputetëve që të kyçen në këtë proces, pasi siç tha është shumë e rëndësishme dhe kjo mundësi nuk duhet të humbet.

Të ngjashme