Google ADS

Kongresistet e para muslimane Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar

12:56 | 7 Nëntor 2018
A. B.

Rashida Tlaib në Michigan dhe Ilhan Omar në Minnesota kanë fituar garën në zgjedhjet mes mandatit në Amerikë.

Demokratet, Rashida Tlaib në Michigan dhe Ilhan Omar në Minnesota kanë fituar garën në zgjedhjet mes mandatit në Amerikë duke u bërë kështu edhe gratë e parë muslimane të zgjedhura për Kongres.

Tlaib do të zërë vendin e përfaqësuesit demokrat të Michiganit, John Conyers, i cili është larguar nga ky post vitin e kaluar pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale.

Omar do ta zërë postin e liruar nga përfaqësuesi i Minnesotës, Keith Ellison, muslimani i parë i zgjedhur në Kongres. Ky i fundit zgjodhi të kandidojë për Prokurorin e Përgjithshëm të Minnesotës këtë vit.

42 vjeçarja Tlaib dhe 37 vjeçarja Omar ishin pjesë e një numri rekord të kandidatëve muslimanë, të cilët garuan në këto zgjedhje, një numri shumë të madh të grave – veçanërisht grave me ngjyrë – që ishin nominuar, transmeton Klan Kosova.

“Unë qëndroj këtu para jush sonte, si kongresmenja e zgjedhur nga ju, duke bërë historinë si e para në shumë gjëra. Gruaja e parë me ngjyrë që përfaqësoj shtetin tonë në Kongres, gruaja e parë që mban hixhab, refugjatja e parë e zgjedhur në Kongres dhe një nga gratë e parë muslimane të zgjedhura në Kongres”, ka thënë Omar në fjalimin e saj pas fitores, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të zjarrta, transmeton Klan Kosova.

“Ne në Minnesota, jo vetëm i mirëpresim emigrantët por edhe i dërgojmë në Washington”, ka thënë ajo.

Tlaib dhe Omar i bashkohen grave të tjera me ngjyrë që e bënë historinë të martën – dhe që së bashku do të përmbysin pamjen e korridoreve në Kongres, të mbushura me burra dhe të bardhë.

Alexandria Ocasio-Cortez u bë gruaja më e re e zgjedhur në Kongres derisa Ayanna Pressley në Massachusetts u bë kongresmenja e parë me ngjyrë në shtetin e saj.

“Alexandria, Ilhan, Ayanna. I dua krejt këta emra. Po, ju do të duhet të mësoni se si t’i thoni emrat tanë”, kishte thënë Tlaib në një samit në muajin shtator duke folur për gratë më ngjyrë në politikë.

Tlaib është bërë po ashtu gruaja e parë palestinezo-amerikane në Kongres. Nëna e dy fëmijëve e kishte shkruar po ashtu historinë në vitin 2008, duke u bërë gruaja e parë muslimane në legjislaturën e Michiganit.

“Dua që ju ta dini se nëna ime që vjen nga një fshat i vogël në West Bank, është ‘ngjitur’ para televizorit – gjyshja ime, tezet , axhallarët dhe hallat në Palestinë – janë ulur para televizorit duke e parë mbesën e tyre”, ka thënë 42 vjeçarja, imigrante nga Palestina, pas fitores së saj duke shpërthyer në lot.

 

Omar – që është lindur në Somali dhe ka kaluar katër vjet në një kamp refugjatësh në Kenia, para se të shkojë në Amerikë në moshën 12 vjeçare – është bërë somalezo-amerikanja e parë e zgjedhur në Kongres.

Ajo më herët e kishte shkruar historinë kur ishte zgjedhur në legjislaturën e Minnesotas në vitin 2016, si somalezo-amerikanja e parë.

“Shpresoj se kandidatuara ime do të lejojë njerëzit që të kenë guximin për të inkurajuar njerëzit që nuk përshtaten në një demografi të caktuar për të kërkuar poste të ndryshme”, kishte thënë nëna e tre fëmjëve për HuffPost.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme