Google ADS

Sëmundjet ngjitëse prekin mbi 100 mijë persona në vit në Kosovë

13:42 | 4 Nëntor 2018
V. S.

Kosova vazhdon të jetë vend endemik për sëmundje ngjitëse. Këto sëmundje, shpesh manifestohen edhe në forma të rënda dhe përballja me to është mjaft sfiduese, derisa ka raste kur vdekshmëria është e pashmangshme.

Kështu thotë Sali Ahmeti, infektolog, sipas të cilit, disa prej sëmundjeve ngjitëse, janë të reja për Kosovën.

“Këto sëmundje që kanë ardhur në Kosovë janë si rezultat i hapjes së dyerve me botën e jashtme, dhe si rrjedhojë jemi të prekur edhe nga shumë sëmundje ngjitëse e që konsiderohen si të reja, por që rrezikojnë jetën e njeriut dhe janë të kushtueshme”, tha Ahmeti.

Gjatë një viti, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga sëmundjet ngjitëse, është rreth 6 mijë raste për 100 mijë banorë. Këto shifra i ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Doktor Sali Ahmeti, specifikon sëmundje ngjitëse që janë paraqitur në Kosovë e që konsiderohen si të reja për vendin.

“Për herë të parë në dhjetëvjetorin e fundit kemi pasur forma të malaries, që persona që kanë ardhur nga bota e jashtme e kanë sjellë sëmundjen, pastaj ka qenë virusi i Nilit perëndimor. Pra, këto janë sëmundje ngjitëse të reja, e që jemi ballafaquar me to”, tha Ahmeti.

“Pastaj gjatë kësaj vere dhe dy vitet e kaluara, jemi ballafaquar me rotavirus e që janë një problematikë e veçantë e sëmundjeve si dhe sallmonella e shumë të tjera. Ende vazhdojmë të kemi shfaqje të etheve hemorragjike e pa diskutim edhe forma endemike. Pastaj është bruceloza, tularemia, viti ne kaluar kemi pasur shpërthim epidemik të morbillit, parotitit etj”, tha Ahmeti.

Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit është këtij viti gjatë rishfaqur në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 është trefishuar.

Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.

Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë.

Vitin e kaluar për periudhën gjashtëmujore kur edhe ishin lajmëruar rastet e para të fruthit në Kosovë, viti është përmbyllur me 1,005 persona të prekur me këtë virus ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Vaksinimi në Kosovë, mbi 95 për qind.

Në anën tjetër, Lul Raka, mikrobiolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se shkalla e vdekshmërisë nga sëmundjet ngjitëse është e lartë.

“Sëmundjet ngjitëse përcillen me shkallë të konsiderueshme të vdekshmërisë, por këto sëmundje gjithashtu kanë edhe kosto të lartë dhe e marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit”, tha Raka.

Ndryshe nga sëmundjet ngjitëse në Kosovë, gjatë vitit 2016, sipas Entit të Statistikave janë shënuar 64 raste të vdekjeve, e që ky vit është i fundit që ky institucion ka nxjerrë statistika në fjalë.

Një ndër faktorët që ka ndikuar që disa sëmundje ngjitëse të zvogëlohen, por edhe të zhduken në Kosovë është vaksinimi.

Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit, kanë thënë drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.

Me një mbulueshmëri me mbi 95 për qind të imunizimit të fëmijëve në Kosovë, e që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit, ky program konsiderohet si një prej ngjarjeve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme