Khalid shënon përsëri, Prishtina kthehet me tri pikë nga Skenderaj

15:56 | 3 Nëntor 2018
Arbresh Info

Prishtina ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Drenica 0-1.

Drenicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe patën një rast të mirë shënimi në minutën e 24-të.

Kreshnik Uka doli në mundësi të mirë shënimi, por që goditja e tij u bllokua në fund nga Leotrim Bekteshi i Prishtinës.

Prishtina rastin e vetëm në pjesën e parë e pati në fund të saj, kur Arago Jamal goditi me kokë por pa problem për Ymerin.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Prishtina rast të artë pati në minutën e 60-të, por goditjen e mirë të Morinës e priti për mrekulli Ymeri i vendasve.

Pesë minuta më vonë, Arbër Hoxha depërtoi bukur në zonë por goditjen e tij e ndali përsëri portieri vendas.

Në minutën e 89-të kryeqytetasit kanë shënuar edhe golin e fitores me autor Basit Khalid.

Ishte kapiteni Armend Dallku që asistoi për mrekulli te sulmuesi afrikan që shënoi për 0-1.

Pas golit të shënuar, Prishtina u mbrojt mirë dhe në fund morri tri pikë tejet të vlefshme nga udhëtimi i vështirë në Skenderaj.

Fitorja e mban Prishtinën në pozitën e dytë në tabelë me 30 pikë të tubuara, vetëm dy më shumë se Feronikeli me të cilën skuadër do të takohen pas katër ditëve skuadra e Mirel Josës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme