Inspektorati i Tregut nuk ndëshkon kompanitë që sollën lodra të rrezikshme në Kosovë

11:39 | 3 Nëntor 2018
Arbresh.info

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk do t’i ndëshkojë me masa ligjore kompanitë të cilat në tregun vendor kanë futur mijëra lodra të cilat pas analizave kanë rezoltuar se janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.
Naim Hajra nga Inspektorati i Tregut në kuadër të MTI-së, ka thënë për kallxo.com se masat ligjore mund të merren, vetëm nëse kompanitë e përsërisin veprimin e tyre dhe tregtojnë me të njëjtat produkte.

“Masa kryesore ka qenë që ne i kemi konfiskuar ato mallra që janë zënë si produkte të rrezikshme. Masa ligjore do të ndërmerren nëse kompanitë prapë tentojnë me futë produkte të njëjta në treg, atëherë vijnë në shprehje edhe masa të tjera penalizuese”, tha Hajra, duke shtuar se kompanitë i kanë dorëzuar vullnetarisht produktet.

Sipas Hajrës, bizneset janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni se lodrat kanë qenë të rrezikshme për shëndetin.

“Gjoba nuk vjen në shprehje në rast se ka konfiskim të mallit, pasi konsiderohet që është penalizim fatal për një biznes me ju marr malli, por në rast të mos konfiskimit, vijnë në shprehje të tjera ndëshkuese, krejt kjo bazohet në ligjin për Inspektoratin e Tregut”, tha ai.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, muajin e kaluar ka bërë asgjësimin e rreth 15 mijë lodrave të dëmshme për shëndetin.

Ndërsa ministri i këtij dikasteri, Endrit Shala kishte deklaruar se analizat për cilësinë e këtyre produkteve, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 22 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari MTI-së, Naim Hajra shtoi se inspektorati është duke bërë ndalesa në doganë të mallrave që dyshohet se nuk i plotësojnë standardet kimike e teknike.

“Tash si rezultat i asaj ne po e bëjmë preventimin, domethënë po i ndalim këto mallra nëpër pika doganore, për të mos i lejuar të hyjnë në Kosovë, në qoftë se të njëjtat nuk janë të shoqëruara me dokumentacion të nevojshëm teknik që konstaton se produkti është i sigurt”, theksoi ai.

Gjashtë nga 10 lodrat për fëmijë që janë testuar në një laborator të Holandës kanë dal se janë të rrezikshme për përdorim, por të njëjtat janë importuar në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar rezultatet e analizave që u janë bërë disa lodrave si: kukulla, vetura me bateri, set manikyri, pistoletë me topa, lodra uji, set kafshësh, lodra kimike (slime), veturë dhe aeroplan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme