Dekretimi i Sandër Lleshit, Meta: Nuk hedh firmë formale

08:25 | 3 Nëntor 2018
Arbresh.info

Gjatë një interviste për syri.net, Presidenti Ilir Meta u pyet në lidhje me qëndrimin që do të mbajë ai për të dekretuar ose jo ministrin e Brendshëm të propozuar nga Kryeministri Rama.

Sipas Metës, ai do të ushtrojë të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta, duke u shprehur se për këtë çështje do të ketë një vendim kurajoz.

Krahas kësaj, Meta mori si shembull rastin e Presidentit të Italisë, i cili ka të njëjta kompetenca si Presidenti i Shqipërisë dhe nuk dekretoi ministrin e Ekonomisë me argumentin sepse nuk e bindi në konsolidimin e financave të shtetit italian.

Presidenti Meta u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Rama, duke u shprehur se komunikimi është institucional, nëpërmjet letërkëmbimeve dhe shkresave zyrtare, gjë që dëshmohet edhe me çështjen e dekretit. Lidhur me firmosjen e shkarkimit të Xhafajt, Meta u shpreh se e firmosi kërkesën e tij sepse askush nuk mund të qëndrojë në një detyrë që nuk e dëshiron, duke shtuar se Fatmir Xhafaj pati arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale në vend.

Kryeministri Rama ka propozuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm. Kur do e dekretoni Sandër Lleshin?

Do gjej kohën e duhur, për të marrë vendimin e duhur. Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjitha detyrimet kushtetuese për çdo propozim që i bëhet. Nuk mund të hedh firmë për dekrete formale e aq më tepër për një detyrë të tillë, që në momentin aktual kërkon përgjegjshmëri. Di të marr vendimet e mia, pa u ndikuar nga askush, as nga orët dhe sekondat. Kushtetuta është shumë e qartë, Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Ua kam bërë të qartë se kam bërë punën time institucionale, kam bërë përpjekjet e mia, kam qenë mjaft bashkëpunues me institucionet dhe personat e interesuar për këtë çështje dhe unë i marr vendimet e mia pa u ndikuar nga askush. Më duket se Kushtetuta është shumë e qartë, Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Nëse do të kishte firmë, unë atë nuk do ta lija për ta shpallur në studion tuaj, do ta kisha bërë atë publike.

Si e shihni propozimin e Sandër Lleshit?

Pa dashur të hyj në diskutim dhe debate me ju, mund t’ju them se çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij apo mosveprimet e tij të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri. Në këtë drejtim, unë përgjegjshmëritë e mia do t’i ushtroj në mënyrë kurajoze dhe maksimale. Në këto momente, Shqipëria është në luftë me krimin e organizuar dhe kjo po e mban Shqipërinë larg BE-së. Unë nuk paragjykoj askënd, unë ushtroj përgjegjësitë e mia në mënyrë maksimale.

Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit apo vlerësimit të tyre, duhet të jenë të qetë se unë nuk ndikohem nga asgjë, përveç detyrës që i takon Presidentit për të qenë një institucion i përgjegjshëm. Kjo nuk ka asnjë arsye që të ndikojë, por ajo që dua të theksoj është se pavarësisht nga background-i i secilit kandidat, është tepër e rëndësishme të kuptojmë se lufta kundër drogës dhe krimit nuk është luftë teknike, por politike.

Po të ishte teknike, Habiljat do t’i kishte arrestuar Zagani dhe nuk do ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i Policisë dhe ta detyronin të shkonte në azil në Zvicër dhe më pas të arrestoheshin në Polici. Pra, kjo kërkon një vullnet të fortë politik sepse është përgjegjësi e Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit për të çrrënjosur krimin e organizuar.
Ministri që dha dorëheqjen, mendoj se tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim, pavarësisht vështirësive dhe rrethanave të komplikuara, pra, kjo është një betejë e të gjithëve dhe përgjegjësitë e ministrit janë shumë të rëndësishme. E njoh vetëm si emër, si funksionar i lartë që ka qenë në ushtri apo si këshilltar i Kryeministrit. Askush nuk mund të ndikojë te Ilir Meta me interpretime. Pas ngjitjes së Jezercës, ju garantoj se lartësi edhe më të forta do t’i kalojmë të gjithë së bashku, prandaj mos na i kujto ato vite të kaluara.

A keni shpatulla për ta refuzuar një vendim të Kryeministrit?

Nuk është çështje shpatullash, është çështje bindjesh dhe të jeni të sigurt, jo një, por edhe 10, edhe 20 që nuk do të më bindin, nuk do t’i dekretoj, nuk do t’i firmos. Të jeni të sigurt për këtë gjë. Presidenti nuk është një figurë që merret as më PPP-të dhe as me këto, por kur vjen momenti që merret me çështjet të tilla, siç kemi rastin e Italisë, ku Presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të Ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në euro, tha që nuk e firmos. Tha të bëhet ministër te zyra për Europën dhe u bë. Askush nuk mund ta detyrojë Presidentin të firmosë apo të konfirmojë një emër për një detyrë të tillë kushtetuese, të cilën atij ia jep Kushtetuta, jashtë bindjes së tij.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme