Një fëmijë që vijon shkollimin fillor, mban në shpinë çdo ditë një çantë që peshon nga 4 deri në 6 kilogramë.
Viti shkollor në Kosovë këtë vit fillon me një risi. Bëhet fjalë për vendimin e autoriteteve që të gjitha shkollat anembanë të pajisen me dollapë për libra, në mënyrë që nxënësit ta kenë çantën shkollore më të lehtë.Pikërisht për këtë arsye, Radio Evropa e Lirë, materialin për fillimin e këtij viti shkollor, ia kushton peshës që një çantë shkollore ka. Një fëmijë që vijon shkollimin fillor, mban në shpinë çdo ditë një çantë që peshon nga 4 deri në 6 kilogramë.
Azem Guri, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Qeverinë e Kosovës, shpjegon vendimin që ka marrë kjo ministri.
“Pikërisht, për këtë çështje, ministria ka nxjerrë një udhëzim administrativ i cili parasheh rregullimin e rafteve, gjegjësisht vitrinave në objektet shkollore, në mënyrë që të shkarkohet çanta e ngarkuar e nxënësve. Ky udhëzim është përgatitur gjatë muajit gusht dhe janë të njoftuara të gjitha komunat”, tha Guri.
Rina Sopa është nxënëse e klasës se shtatë në shkollën Fillore “ Faik Konica “ në Prishtinë dhe thotë se e ka të vështirë ta bartë çantën me të gjitha librat në të, çdo ditë.
“Gjysmën e librave i kisha lënë në shkollë me pas mundësi”, thotë Rina.
E ëma e Rinës, Arta Sopa, tregon se këtë vit, klasën e parë e fillon edhe djali i saj. Për shkak të peshës së rënduar të çantës, zonja Arta çdo ditë e dërgon dhe e merr të birin nga shkolla.
“Pesha është e rëndë, shumica e fëmijëve po ankohen nga kurrizi. Një lëndë i ka dy- tri tekste dhe gjysmën është dashur t’i lënë në klasë. Për shkak të çantës duhet ta dërgoj dhe ta marr djalin nga shkolla. Djali në klasë të parë, dy fëmijë tjerë i kam më të vegjël, kështu që me të dytë më duhet të shkoj ta dërgoj dhe ta marr djalin nga shkolla”, tha zonja Sopa.
Në fakt, Komuna e Prishtinës ka vendosur dollapë vetëm për ciklin e ulët, por duket se as ato nuk përdoren nga fëmijët, për shkak se nuk janë të sistemuara si duhet.
Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (SBASHK) theksojnë nevojën e vendosjes se inventarëve të domosdoshëm nëpër objekte shkollore për vendosjen teksteve në klasa.
Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se zgjidhja e këtij problemi është kërkuar disa herë nga sindikata..
“Duhet bërë ndryshime te planprogramet dhe kurrikula në përgjithësi, ngase është e çuditshme pse për një lëndë, sidomos te fëmijët e vegjël, botohen nga dy – tri tekste. Pra, fëmija përveç se është i ngarkuar me çantë, është edhe i hutuar me gjithë ato tekste dhe nuk di si të gjendet”, ka thënë Jashari.
Sipas standardeve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ngarkesa fizike te fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve. Pesha mesatare e një fëmije në klasën e parë është diku rreth 23 kilogramë.
Çdo gjë më e rëndë se aq, mund të jetë e dëmshme për shpinën e fëmijës dhe bart pasoja për të ardhmen.
Procesin mësimor këtë vit shkollor e ndjekin rreth 390 mijë nxënës të arsimit fillor, në rreth 1200 objekte, me mbi 25 mijë mësimdhënës.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...