Google ADS

Anëtarët e Lidhjes Demokratike përplasen pas votimit për rezolutën për dialogun me Serbinë

19:58 | 1 Nëntor 2018
Arbresh.info

Pas dështimit të votimit të rezolutës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për kufijtë, anëtarët e kësaj partie kanë filluar përplasjet në mes vete.
Pas publikimit se cilët deputetë të LDK-së nuk e kanë votuar këtë rezolutë, ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku i ka reaguar bashkëpartiakut të tij, Naser Rugova, i cili ishte në mesin e katër deputetëve të LDK-së që nuk e ka votuar këtë rezolutë.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ishte i habitur se si deputeti Rugova nuk e ka votuar këtë rezolutë për faktin se ai vjen nga familja Rugova.

“Ndër ta ishte edhe Naser Rugova po më habit fakti si një njeri i Familjes Rrugova nuk e voton Rezulutën e LDK-së ku në të gjitha debatet televizive është kundër Hashim Thaçit dhe kur duhet me votua ,nuk e voton. Nëse është e vërtetë vaj halli për k’ta deputetë”, ka shkruar Deshishku.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Rugova, i cili i ka replikuar atij në komentin e këtij shkrimi në Facebook ku ka thënë se ai nuk ishte fare i pranishëm në sallën e Kuvendit.

“I nderuar Hashim, Para se të konstatoni duhet vërtetuar mirë faktet. Unë nuk kam qenë fare prezent në sallë, e dinë kolegët e mi të grupit ku kam qenë dhe pse. Kam qenë dhe jam kundër Hashim Thaçit dhe këtë e dinë të gjithë, dhe jam krenar që kurrë nuk kam qenë patericë dhe në qeverisje me të. Prandaj mos bjer pre e spekulimeve të portaleve se populli e din kush është me Hashimin e kush jo”, ka replikuar Rugova.

Por përplasja e tyre në rrjetet sociale nuk ka përfunduar me kaq. Pasi që Rugova tregoi se nuk ka qenë i pranishëm në sallën e Kuvendit, Deshishku ka thënë se kjo është edhe më e keqe.

“Edhe ma keq që s’ke shkua në sallë nëse është e vërtetë .Se unë e di që njerëzit e sëmurë kanë ardhur me votua kur ka qenë për të mirën e shtetit”, i është përgjigjur Deshishku Rugovës.

Tutje Rugova ia ka reaguar Deshishkut duke thënë se për këtë nuk i jep llogari atij.

“Ty s’të japi llogari, e na njihemi gjatë, krejt e dinë kush jemi, kam pas termin zyrtar, dhe unë vazhdoj punën time, dhe besoj përfundon me kaq!”, ishte përgjigja e Rugovës ndaj Deshishkut.

Por përplasja e tyre vazhdoi dhe u thellua edhe më shumë, raporton lajmi.net.

Deshishku nuk u durua dhe iu përgjigj Rugovës, duke i thënë se shpreson që ky të ketë qenë një takim më zyrtar se sa rezoluta e LDK-së.

“Po është e vërtetë që s’më jep llogari dhe nuk kërkoj llogari nga ti .Shpresoj që ke pas takim ma zyrtar se ky i sodit për votim të rezolutës që e ka prezantua LDK-ja”, ka shkruar Deshishku.

Mirëpo, duke e parë komentin e Deshishkut, Rugova iu përgjigj përsëri dhe ia kujtoi atij se emri i tij është i përfshirë në disa dokumente ndërkombëtare dhe se në këtë dokument nuk përmendet për mirë Deshishku.

“Hashim thotë fjala e popullit me hëngër bukën tënde e mi këqyr punët e huaja nuk është mirë, bile ti duhet m’i shikua punët tua se je në do letra ndërkombëtare ku të del emri jo bash mirë!”, i është përgjigjur Rugova-Dehsishkut.

Kujtojmë se kjo rezolutë nuk kaloi për shkak se nuk kishte vota të mjaftueshme.

Ndërkaq përveç Naser Rugovës, këtë rezolutë nuk e votuan as Naser Osmani, Anton Quni e Korab Sejdiu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme