Google ADS

Zgjedhjet për Kongres më 2018

19:28 | 1 Nëntor 2018
Arbresh.info

Vetëm 12 ditë para zgjedhjeve amerikane, më 26 tetor të vitit 1972, Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit, Richard Nixon është paraqitur në një konferencë për media në Uashington. Lufta amerikane në Vietnam kishte hyrë në vitin e 17-të dhe pas disa vjetëve të trazirave sociale, amerikanët kanë qenë të etur për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne besojmë se paqen e kemi në dorë”, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Henry Kissinger, para gazetarëve, deklaratë, e cila sipas shumë analistëve është përshkruar si ndihmesë për Nixonin ashtu që të fitojë edhe një tjetër mandat katërvjeçar si president.

Njoftimi i Kissingerit ka qenë shembulli i asaj që në fjalorin amerikan njihet si “Befasia e Tetorit”.

Ngjarje të tilla, rastësore apo të orkestruara kanë fituar emër sepse në mënyrë të paparashikuar kanë ndikuar në vendimin e votuesve amerikanë disa ditë para zgjedhjeve kombëtare.

Zgjedhjet e këtij viti për Kongres, të cilat do të mbahen më 6 nëntor janë duke u konsideruar si një prej proceseve zgjedhore më konkuruese në disa vjet.

Ende mbetet e paqartë nëse “Befasia e Tetorit” do të jetë pjesë e këtij procesi, ndonëse një numër i çështjeve veçse janë vënë në pah.?

 

Historia

Deri më tani nuk ka ndonjë konsensus në mes të historianëve politikë lidhur me atë se kur ka lindur ky koncept, ndonëse disa kanë përmendur periudhën e shekullit XIX.

Mirëpo një varg i historianëve dhe analistëve ia atribuojnë frazën “Befasia e Tetorit” periudhës së vitit 1980 në garën mes republikanit Ronald Reagan dhe demokratit, Jimmy Carter.

Në atë kohë, Irani ka qenë duke mbajtur 52 pengje amerikane për një vit dhe tentimet e Carterit për t’i shpëtuar ata përmes një bastitsjeje ushtarake ka rezultuar me dështim të madh.

 

Aleatët republikanë të Reaganit janë ankuar publikisht se Carter ka negociuar me zyrtarë iranianë për të siguruar lirimin e pengjeve para zgjedhjeve të muajit nëntor.

Një marrëveshje e tillë nuk është realizuar, Regan ka fituar zgjedhjet dhe pengjet janë liruar në ditën kur ai ka mbajtur ceremoninë e inaugurimit për president.

Demokratët më vonë kanë supozuar se aleatët e Reaganit e kanë orkestruar Befasinë e Tetorit për të penguar lirimin e pengjeve.

Këto supozime janë diskutuar përgjatë dy mandateve të Reaganit andaj më 1991 Kongresi ka urdhëruar një Këshilltar Special për të nisur hetime. Pas përfundimit të hetimeve, Këshilltari ka thënë se një plan i tillë nuk ka ekzistuar kurrë.

 

Clinton vs. Trump

Në garën e ashpër për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, demokratja, Hillary Clinton është pëlqyer më shumë në krahasim me republikanin, Donald Trump në disa sondazhe të kryera në muajin tetor.

Më herët gjatë atij muaji, The Washington Post pati publikuar një raport bombastik në të cilin thuhej se ekzistojnë incizime të Trumpit se si vite më parë është lavdëruar që ka ngacumuar seksualisht gratë. Në po të njëjtën ditë uebfaqja WikiLeaks ka nisur publikimin e emailave të hakuar nga operacioni i fushatës së Clintonit.

Emailat e Clintonit kanë qenë pjesë e lajmeve për muaj të tërë, sepse republikantët kanë supozuar se ajo ka përdorur në mënyrë të gabuar një server privat për të dërguar dhe pranuar informacione derisa ka qenë duke shërbyer si Sekretare amerikane e Shtetit.

Këto supozime janë cilësuar masivisht si të motivuara politikisht dhe drejtori i FBI-së, James Comey ka njoftuar në muajin korrik se nuk mund të ngriheshin akuza penale kundër Clintonit.

Më pas, më 28 tetor, 11 ditë para zgjedhjeve, Comey i ka thënë Kongresit amerian në një letër se hetuesit janë duke hetuar disa emaile të lidhura me Clintonin që janë gjetur në laptopin e ish-bashkëshortit të njërës prej ndihmëseve më të afërta të ish-Sekretares amerikane.

Më 6 nëntor, dy ditë para Ditës së Zgjedhjeve, Comey ka dërguar letrën e dytë para Kongresit duke thënë se “bazuar në hetime tona, nuk kemi ndryshuar përfundimet e prezantuara në muajin korrik”.

Trump ka fituar zgjedhjet duke humbur votën popullore kombëtare, mirëpo ka fituar mbështetjen e disa shteteve të rëndësishme.

Analistja politike në Qendrën për Politike në Universitetin e Virxhianias, ka thënë se e gjithë episoda ka qenë një nga Befasitë e Tetorit më famëkeqe në historinë moderne të politikës amerikane.

“Nuk e di nëse i ka kushtuar Clintonit me presidencë, mirëpo ka ndodhur në kohë të keqe për të”, ka thënë Kondik.

“Mund të ketë ndikuar edhe letra e tij të dielën para zgjedhjeve që në thelb thoshte se hetimi nuk ka rezultuar me asgjë. Mund të ketë ndikuar që kjo ndodhi të ketë mbetur në mendjen e votuesve që kanë votuar për Trumpin. Në fushatën kur dy kandidatë janë të papëlqyer, më mirë është që të mos jesh dominues në lajme”.

 

Zgjedhjet për Kongres më 2018

Këtë vit, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përfshira në grindjet partiake dhe zgjedhjet e 6 nëntorit për Kongres janë kthyer në test për udhëheqësinë e Trumpit, e cila është konsideruar e zjarrtë dhe thyese e normave.

Kjo e ka bërë më të vështirë për vëzhguesit politkë që të identifikojnë Befasinë e Tetorit.

Kolumnisti i Wall Street Journal, Daniel Henninger, ka argumentar se çështja e një grupi të qindra migrantëve nga Amerika Qendrore që synon të hyjë në Shtetet e Bashkuara qëndron në krye të garës.

Grupi, i njohur tashmë si ‘karavani i migrantëve’ është portretizuar, pa të dhëna nga mediat konservatore, si dyndje që sjellë terrorizëm dhe sëmundje brenda Shteteve të Bashkuara, mesazh i cili njëherësh përkon me retorikën anti-migrante të Trumpit.

Henniger ka thënë në kolumnën e tij më 24 tetor se Trump po shfrytëzon plotësisht atë që po duket se është ngjarje e rastësishme për të nxitur republikanët që të votojnë.

“Duket se se Befasia e Tetorit në zgjedhjet e vitit 2018 është duke arritur nga Hondurasi”, ka shkruar ai.

“A është duke shfrytëzuar për qëllime poltike këtë rast presidenti aktual, vetëm dy javë larg zgjedhjeve për Kongres dhe mundësisë që demokratët të udhëheqin Dhomën e Përfaqësuesve?”

Mirëpo votimet e këtij viti janë përcjellur edhe me ngjarje tjera që mund të konsiderohen po ashtu Befasi të Tetorit.

Njëra nga to është arrestimi i një prej mbështetësve të zëshëm të Trumpit më 26 tetor, pasi kishte nisur pako me material shpërthyes drejt liderëve dhe ish-liderëve demokratikë dhe personave tjerë më të cilët është përplasur presidenti amerikan.

Një mesin e ngjarjeve tjera përmendet edhe sulmi me armë zjarri në një sinagogë në Pistburg më 27 tetor, duke lënë të vdekur 11 persona.

Tjetër ngjarje në këtë mes është edhe hetimi i vazhdueshëm i Këshilltarit Special, Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe ndonjë bashkëpunim i mundshëm në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Disa demokratë kanë shpresur se një tjetër padi do të largonte votuesit nga Partia Republikane e Trumpit.

Mirëpo ende është herët të vlerësohet nëse këto ngjarje do të ndikojnë në procesin e votimit në SHBA.

Njëri nga faktorët është se shumë shtete tani ofrojnë mundësinë e votimit të parakohshëm, duke u pamundësuar ngjarjeve të fundit të kenë ndikim në Ditën e Zgjedhjeve.

Në ditët pas njoftimit të Comeyt në tetor të vitit 2016, Harry Enten, vëzhgues në sajtin për sondazhe FiveThirtyEight, ka analizuar në veçanti garën presidenciale dhe fenomenin e Befasisë së Tetorit në përgjithësi.

 

Përfundimet e tij?

 

“Ka kuptim që lajmet në përfundim të fushatës kanë ndikim të kufizuar. Sa më vonë që ndodhë ndonjë goditje, aq më shumë votues duket se veçse kanë ndarë mendjen e tyre dhe pikëpamjet për kandidatët e tyre”, ka thënë Enten. “Me fjalë tjera, Befasitë e Tetorit, mund të kenë më pak ndikim për shkak se shpërfaqen në muajin tetor”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme