Google ADS

Kosovares i ndalohet të festojë me shqiponjë

07:31 | 1 Nëntor 2018
Arbresh.info

Shqiponja dykrenore, simbol i shqiptarëve, është bërë hit botëror, shkruan gazeta Zëri.

Festimi i golave nga ana e futbollistëve shqiptarë duke e formuar shqiponjën me duar po shtohet dita-ditës.

Kulmi arriti në Botërorin e Rusisë, kur Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri bënë sensacion me mënyrën e festimit të golave ndaj Serbisë.

Zvicra i mblodhi ata dhe ua ndaloi festimin me shqiponjë pasi e konsideroi këtë si provokim dhe festim me prapavijë politike.

Në atë rast, Xhaka e Shaqiri ishin gjobitur me para nga FIFA për festimin, të cilin FIFA e ka interpretuar si provokim politik. Mirëpo, tash shqiponja dykrenore është zhvendosur në futbollin femëror.

Kosovare Asllani javë më parë e festoi me shqiponjë golin ndaj Ukrainës dhe ky veprim u konsiderua me prapavijë politike dhe në Suedi nuk u prit aspak mirë, përcjell albinfo.ch.

Federata Suedeze e Futbollit ka ndërmarrë masa në këtë drejtim duke ia ndaluar futbollistes kosovare festimin me shqiponjë në të ardhmen siç bëri në fitoren 3:0 ndaj Ukrainës, në kualifikimet e Kampionatit Botëror, i cili do të mbahet në Francë vitin tjetër.

“Për mua, kjo është e papranueshme”, ka thënë futbollistja kosovare për mediet suedeze, transmeton zëri.

Pra, festimi i golit të Kosovares në shtetin skandinav ka bërë bujë më të madhe sesa vetë rezultati.

“Disa mendojnë se është një provokim dhe gjest politik, mirëpo nuk është dhe jam krenare që e kam bërë. I përket prejardhjes sime, së kaluarës sime dhe ka ardhur spontanisht në gëzim e sipër. Është një nder dhe krenari që e ndiejnë krejt shqiptarët”, ka shtuar Asllani.

“Unë e kam marrë një përgjigje pozitive nga shqiptarët e Kosovës në tërë botën. Kam dëgjuar që ishte një televizion në Kosovë, i cili e ka përsëritur klipin e festimit me shqiponjë për 24 orë. Për këtë jam e nderuar dhe krenare”, thotë tutje futbollistja kosovare.

Pas ndeshjes ajo është ftuar nga Federata Suedeze e Futbollit, e cila i ka kërkuar që të mos e bëjë më këtë veprim.

“E kam marrë një rekomandim që të mos e bëj më këtë. Unë nuk e di se si do të rrjedhin gjërat, por janë rregulla ndërkombëtare që duhet të ndiqen”, shprehet Asllani.

Kosovare Asllani thotë se ndonjëherë nuk mund të menaxhohen dhe të kontrollohen ndjenjat, prandaj ajo nuk garanton se festimin me shqiponjë nuk do ta përsërisë më.

“Nuk e di. Ishte spontane dhe nuk e di kurrë se çka është duke ndodhur. Është e papranueshme për mua të ma ndalojnë ta bëj atë. Nuk e di se kush do të mllefoset ose kë mund ta pengojë kjo. Është vetëm një shqiponjë dhe asgjë më shumë. Herën tjetër do ta formoj ndonjë zog me duar dhe ta shoh nëse do të jetë reagimi i njëjtë”, nënvizoi Asllani.

Suedezët kërkojnë që të gjitha futbollistet t’i respektojnë rregullat e UEFA-s dhe të FIFA-s dhe menaxherja e Suedisë Marika Domanski Lyfors e konfirmon se Asllani është informuar me rregullat e qarta.

“Ne dhe Kosovarja kemi biseduar për gjestin që e ka bërë dhe e kuptoj se është një mesazh për historinë e saj dhe të familjes së saj”, thotë ajo.

“Është folur shumë për gjestin duke e pasur parasysh se kjo ka ndodhur në Kupën e Botës. FIFA dhe UEFA kanë qenë mjaft të qarta në rregullat e tyre kur bëhet fjalë për mesazhe politike. Është mjaftueshëm e qartë se kjo nuk është e lejueshme. Ne nuk ia ndalojmë mënyrën e festimit të golit, por duke i pasur parasysh rregullat e FIFA-s nuk është e nevojshme të sfidohen ato”, përfundoi menaxherja e Përfaqësueses së Suedisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme