Limaj rreth dialogut: Për shtatë vjet, ky parlament veç ka kukatë

13:06 | 31 Tetor 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se për shtatë vjet Parlamenti i Kosovës vetëm ka vajtuar dhe kukatur duke mos ofruar asgjë rreth dialogut Kosovë-Serbi.

“Tash e shtatë vjet tema më e rëndësishme na ka dalë jashtë kontekstit”, ka thënë Limaj në foltoren e Kuvendit.

“Le të na shërbejë ky moment dhe kjo iniciativë që të gjithë së bashku ta japim kontributin për ta kthyer në normalitet dhe në rrugë institucionale një çështje të rëndësishme si çështja e dialogut”.

Limaj u ankua se seancat gjithmonë kanë përfunduar pa rezultat dhe parlamenti ka qenë “arenë diskutimesh, përplasjesh e garash” mes vete.

Kjo sipas tij i ka zbehur të arriturat shtetërore por edhe argumentet e tyre.

“Sot besoj se nuk i ndihmojmë as debatit nëse kthehemi edhe bëjmë analizën vetëm të së kaluarës dhe shkojmë përsëri në shtëpi duke mos bërë asgjë”, shtoi ai duke kërkuar që kjo seancë të jetë pikënisje e afrimit të qëndrimeve mbi atë se kah duan ta drejtojnë vendin.

“Është momenti i fundit që të gjitha institucionet e vendit ta marrin përgjegjësinë që iu takon”.

Limaj kërkoi që secili ta marrë rolin që ia parasheh ligji dhe kushtetuta, ndërkaq për dialogun me Serbinë tha se është çështje e nevojës dhe jo e numrave, për çfarë nevojiten jo vetëm ligjvënësit e institucionet tjera por edhe ekspertë që i shërbejnë vendit, njofton Klan Kosova.

“Çfarë po bëjmë ne? Çfarë po bëjmë ne parlamenti i Kosovës? Krejt po duam ta bëjmë rezolutën? Për çka, e çka pastaj? Jo, parlamenti i Kosovës, institucionet e Kosovës nuk janë këtu për të refuzuar, edhe me tregu veç çka nuk duan? Por detyrë e jona para se gjithash është me e orient vendin tonë kah po duam ta çojmë”.

Sipas Limajt, ky është afati i fundit pasi që në rast se debati vazhdon në këtë mënyrë atëherë Kosovës i zbehen argumentet e saj.

“7 vite ky parlament veç ka kukatë. Asnjë gjë tjetër nuk ka bërë rreth dialogut”.

“Bota po ecë. Kurrkush nuk e pret Kosovën”.

Në fund, Limaj kërkoi që të dilet me një produkt i cili jep lajmin vendimtar dhe shumë të rëndësishëm për vendin se çka është e paprekshme dhe çfarë mund të diskutohet në dialog.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme