Vizita para ‘stuhisë’ speciale

08:00 | 31 Tetor 2018
Arbresh.info

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, ka takuar dje në Prishtinë drejtuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Avokatët dhe njohësit e kësaj fushe thonë se kjo vizitë është sinjal që ngritja e aktakuzave të para për krime lufte është afër, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Prokurori i specializuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, të martën në Prishtinë ka takuar ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin, si dhe krerët e institucioneve të drejtësisë, nga të cilat ka marrë garanci se institucionet e Kosovës do t’i përmbushin të gjitha obligimet ndaj Gjykatës Speciale. Vizita e Smith në Kosovë, sipas avokatëve dhe njohësve të çështjeve të drejtësisë, ndërlidhet me ngritjen e aktakuzave të para në Gjykatën Speciale.

Sipas tyre, Smith ka ardhur në Kosovë për të vënë kontakte me institucionet vendore, si dhe me misionet e huaja, siç është EULEX-i.

Ata thonë se odisejada juridike e Gjykatës Speciale është afër përfundimit dhe se ngritja e aktakuzave është afër. “Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i përmbushur të gjitha obligimet e saja ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme