Në Gjykatën e Prizrenit nuk ka filluar siç ishte paraparë gjykimi i 3 shtetasve të Shqipërisë, Frederik Leka, Jurgen Jusha dhe Aleksandër Biba, të akuzuar për grabitje në fshatrat Lutogllavë, Malësi e Re dhe Korishë të Prizrenit.
Arsyeja e shtyrjes së gjykimit ishte kërkesa e parashtruar para se të fillojë shqyrtimi kryesor dhe leximi i aktakuzës nga Hazër Susuri, avokat i Jurgen Jushit.
Avokati kërkoi shtyrjen e seancës në mënyrë që të fillojnë negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Kërkesë të ngjashme parashtroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandër Biba, avokati Arben Shala.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Frederik Leka, avokat Afrim Paçarizi, deklaroi se ”pasi që janë krijuar rrethana të reja dhe dy të akuzuarit tjerë kërkojnë që të hyjnë në negociata për marrëveshje, propozojmë që seanca të shtyhet në mënyrë që të kemi kohë të mjaftueshme që edhe një herë të bisedoj me të mbrojturin tim”.
Prokurorja e çështjes Ervehe Gashi nuk i kundërshtoi propozimet e tilla. Ajo tha se në rast se pranohen kushtet dhe arrihet marrëveshja, e njëjta do t’i dorëzohet Gjykatës në afatin sa më të shpejtë.
Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, caktoi datën 5 dhjetor për shqyrtimin e radhës, ku palët do të sjellin në formë të shkruar marrëveshjen për pranim fajësie.
Trupi gjykues i përbërë edhe nga gjyqtarët Ali Fazlija dhe Xhemil Elshani, i dhanë këtë afat palëve që të njoftojnë Gjykatën lidhur me negocimin e marrëveshjes, mirëpo në rast të arritjes së marrëveshjes, të lajmërojnë më herët Gjykatën që të caktohet një seancë në një datë më të shpejtë.
Në përfundim të seancës, gjatë largimit nga salla, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ua tërhoqi vërejtjen mbrojtësve që të kenë kujdes me të akuzuarit dhe familjarët e tyre sepse “po qe se do të ekzistojë vetëm një kërcënim më i vogël ndaj të dëmtuarit Alban Dakaj, nuk do të ofrohet asnjë mundësi për negocimin të marrëveshjes”.
Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, Frederik Leka, Aleksandër Biba, dhe Jurgen Jushi më 10 shkurt 2018, pasi që fillimisht i akuzuari Frederik Leka në mënyrë ilegale kishte kaluar në pikën kufitare Morinë – Vërmicë, në orët e vona të natës, saktësisht në orës 23:00, në fshatin Malësi e Re, ashtu që pas marrëveshjes paraprake ndërmjet të të akuzuarve, hyjnë në pronën e familjes së të dëmtuarit Alban Dakaj.
I akuzuari Aleksandër Biba hip në ballkonin e shtëpisë, ndërsa të akuzuarit Jurgen Jushi dhe Frederik Leka bëjnë roje në hyrje të shtëpisë.
Ndërsa, në momentin kur në shtëpi po afrohej i dëmtuari Alban Dakaj, i akuzuari Aleksandër Biba i shkon nga mbrapa, i akuzuari ia mbulon kokën me kapelë, dhe pasi që e godet me grushte dhe shqelma i merr kuletën personale, me dokumente dhe një shumë të hollash, ndërsa gjatë ikjes me automjet në rrugën Prizren – Suharekë, të akuzuarit ndalohen dhe arrestohen nga Policia e Kosovës, ku gjatë kontrollit i janë gjetur sendet e vjedhura nga i dëmtuari Alban Dakaj si dhe gjësende të tjera të vjedhura në disa grabitje në fshatrat Lutogllavë dhe Korishë të Prizrenit. /kallxo.com
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist