Google ADS

Para vendimit për vizat, Bashkimi Evropian bën thirrje për luftë kundër krimit të organizuar

12:15 | 30 Tetor 2018
V. S.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i është thënë dje gazetës “Zëri” se nuk ekziston asnjë afat dhe kohë e dakorduar në lidhje me vendimin për heqjen e vizave për Kosovën në këtë fazë. Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar dje se lajmi i mirë për liberalizim do të merret para këtij fundviti, shkruan “Zëri”.

Të pyetur rreth mundësisë së shtyrjes së liberalizimit, nga Zyra e BE-së në Kosovë i kanë thënë gazetës se tashmë i takon Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit të marrin vendim lidhur me heqjen e vizave për Kosovën.

LEXO EDHE: BE: S’ka datë për heqjen e vizave

“Komisioni Evropian konsideron që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Në raportin e 18 korrikut Komisioni u ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian se duhet të jepet liberalizimi i vizave. Tani i takon Këshillit Evropian, pra shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian, të vendosë për propozimin e Komisionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për “Zërin”.

Megjithëkëtë, në këtë përgjigje theksohet qartë që nuk ka kurrfarë date sa i përket asaj se kur mund të merret ky vendim mbi heqjen e vizave.

“Nuk ekziston asnjë afat dhe kohë e dakorduar për një vendim të tillë në këtë fazë. Para se të merret vendimi përfundimtar, është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë me shpejtësi të plotë punën e tyre të vazhdueshme për përcjelljen e rasteve që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përparimi i përgjithshëm në fushën e sundimit të ligjit do t’i kontribuojë përmirësimit të prospektit për një vendim përfundimtar pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave”, potencohet më tutje.

Në këtë kontekst BE-ja ka bërë thirrje për miratimin pa vonesë të legjislacionit për sundimin e ligjit, që aktualisht është në Kuvend.

“Kjo përfshin Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin, Kodin Penal, Ligjin për Sinjalizuesit, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe progresin e vazhdueshëm drejt miratimit të kodit të procedurës penale”, nënvizohet në përgjigjen dhënë “Zërit”.

Pavarësisht faktit që nga Zyra e BE-së kanë pohuar se nuk ka kurrfarë afati se kur mund të merret vendimi për vizat, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur i vendosur se brenda këtij viti Kosova do të marrë lajm pozitiv sa i përket çështjes së vizave.

“Para ndërrimit të moteve do të marrim lajm të mirë për vizat. S’ka vende bllokuese, ka vende hezituese, është çështje politike”, ka theksuar kreu i ekzekutivit gjatë së hënës. /ZERI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme