Dikur në Komunën e Kamenicës, ishte periudha kur më shumë se gjithku tjetër prodhohej dhe eksportohej gjithçka.
Kamenica njihej për prodhimin e produkteve bujqësore, prodhime industriale, të gjitha llojet e pllakave të qeramikës, magnezit madje edhe prodhonte blloka për industrinë e ndërtimit.
Mirëpo tash gati 20 vite pas përfundimit të luftës, kjo gjendje duket se ka ndryshuar tërësisht. E gjitha se çka mund të hasësh në këtë komunë janë disa dyqane të vogla me farkëtarë të ndryshëm që prodhojnë sëpata,lopata e gjëra të ngjashme.
Fabrikat që dikur kishin shumë kapacitete të larta, punësonin mijëra njerëz, madje edhe i ndihmonin vendin falë të ardhurave të krijonin, tashmë kanë mbetur vetëm si një hije që po shkatërrohen nga ata që po i privatizojnë e po i kthejnë në salla dasmash, po i shkatërrojnë tërësisht e madje disa prej tyre janë edhe prona në shitje.
Këto fabrika me këtë lloj infrastrukture janë ndërtuar në kohën e ish Jugosllavisë, kur Kosova kishte zhvillimin më të madh ekonomik. Sipas të dhënave nga instituti për çështje ekonomike i KSAK, kjo komunë pas vitit 1974, kishte një qarkullim vjetor prej 40 milionë dollarësh, prej tyre shumica eksport, me mbi 5000 të punësuar. Mirëpo ç’organizimi, shkatërrimi dhe rrënimi i këtyre fabrikave ka ndikuar që sot ato të vidhen demolohen nga ata që po i privatizojnë.
Agim Bucolli nga radhët e AKR-së, për Kosova.info, bën të ditur se në të kaluarën Kamenica ka qenë një vend me fabrika të ndryshme prodhuese ku ka pas shumë të punësuar ndoshta mbi 3000 punëtorë, jashtë administratës.
Sipas tij gjendja momentale e fabrikave në Kamenicë është tmerruese ku përveç privatizimit ato janë shkatërruar në masë të madhe.
“Sot për fat të keq vende punë në Kamenicë llogariten administrata dhe bizneset e vogla që kanë më së shumti deri në 10 punëtorë. Sa i përket fabrikave që dikur punësonin shumë njerëz e sjellin të ardhura të shumta, disa janë shndërruar në gërmadha, disave iu është ndërruar lokacioni e më së shumti ndërtime të larta e restorante, e çka është më e keqja disa i kanë parcelizuar”, tha Bucolli për Kosova.info
E problem shqetësues këtë çështje po e cilësojnë edhe vetë qytetarët e kësaj komune. Për Fadil Matoshin, privatizimi i fabrikave pas luftës si në tërë Kosovën edhe në Kamenicë pa dyshim e kanë dëmtuar vendin jashtë mase.
Ai krahason se si dikur falë punës që bëhej në këto fabrika një punëtor ishte në gjendje të mbante familjen e tij nga të ardhurat që kishte, kurse sot një kamerierë ka rrogë 180 euro në muaj.
“Kanë qenë disa fabrika lirisht mund të them gjigante në komunën tonë ku pjesa dërmuese e popullatës dikur siguronin të ardhura personale dhe për familjarët e tyre. Fabrika industriale “Xeherorja industriale e qeramikës (XIQ) Karaçeva”, ka qenë njëra ndër fabrikat më prestigjioze dhe jo vetëm në Kamenicë e Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë e më gjerë”, tha Matoshi për Kosova.info.
Sipas tij nga kërkesat e mëdha në vend dhe jashtë vendit kjo fabrikë u detyrua të rris edhe një aneks tjetër të prodhimit e cila u ndërtua në vitet e 80-ta në fshatin Koretin e që punonte pa ndërprerë për t’i plotësuar kërkesat e shteteve që furnizoheshin nga “Xiq Karaçeva”, si republikat e ish-Jugosllavisë, Italia, Bullgaria e vende të tjera.
“Sot objekti i kësaj fabrike është privatizuar. Aty sot funksionon një restorant me 4 salla dasmash dhe restorante për klient të rregullt ndërsa hapësira tjetër është në shitje për troje. Papunësia në Kamenicë është shumë e lartë diku rreth 40%, sidomos tek të rinjtë, ku po të ishin vetëm 50% funksionale këto fabrika rrjedhat e jetës do të ishin krejt ndryshe”, shtoi tutje Matoshi.
Për të e gjitha kjo ka ndikuar që Kamenica të mbetet një zonë qorre në Kosovë në të cilën rruga nuk të shpie dot atje përveç nëse keni ndonjë të afërm ose të lidh ndonjë punë personale, në të kundërtën ka njerëz që sot nuk kanë dijeni edhe se ku gjendet ky vend.
“Përderisa dikur identifikoheshim me diçka, sot nuk identifikohemi me asgjë, falë komandantëve të luftës që për interesave të veta personale po shesin gjithçka dhe sot popullsia po i vuan pasojat”, tha Matoshi.
Përveç fabrikës së pllakave edhe fabrika Magnohromit,Imkos, Trajko Periq i atëhershëm e shumë e shumë të tjera sot janë privatizuar dhe janë në mëshirën e blerësit, i cili pos investimeve për ndonjë kafiteri ose restorant për vetë, pjesën tjetër e shet si troje për banim, ndërtesa të mëdha kolektive dhe të vogla industriale. /kosova.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...