Të dielën e ardhshme në Luginën e Preshevës do të mbahen zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarëve. Ragmi Mustafa, kandidati për kryetar të këtij Këshilli nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik “Shaip Kamberi”, në një intervistën për “Zërin” ka thënë se zgjedhjet e 4 nëntorit janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shqiptarët. Mustafa ka thënë se Këshilli Nacional merret me mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor dhe kombëtar, prandaj sipas tij në krye të këshillit duhet të vijnë ata që kanë strategji se si të mbrojnë interesat e shqiptarëve.
Mustafa ndër të tjera është shprehur i bindur se nëse vjen në krye të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, brenda mandatit të parë do të përgatiten tekstet shkollore në gjuhën shqipe për shkollat fillore dhe se do të avancohet edhe me librat për shkollat e mesme.
Mustafa poashtu ka folur edhe për idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën.
Zëri: Më 4 nëntor 2018 në Serbi mbahen zgjedhjet për Këshillat Nacionale. Ju jeni ndër kandidatët për ta udhëhequr Këshillin Nacional të Shqiptarëve. Cila është rëndësia e këtyre zgjedhjeve?
Mustafa: Unë jam kryesues i Listës Partia për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi me numër 3 që do të marr pjesë në zgjedhjet e 4 nëntorit për Këshillat Nacionale, përkatësisht për Këshillin Nacional Shqiptar. Rëndësi kanë shumë të madhe për shkak se Këshilli merret me disa nga fushat vitale që merren me ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor dhe identitetit kombëtar. E këto fusha si arsimi, kultura, informimi dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nëpër institucione është thelbësore që shqiptarët të realizojnë në kontinuitet ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.
Zëri: Në rast se zgjidheni në krye të Këshillit, cilat do të jenë detyrat e para që do t’i kryeni?
Mustafa: E para, Këshilli Nacional Shqiptar ka nevojë për nj strategji afatshkurtër dhe për një strategji afatgjate. Problemeve do t’i qasemi me pragmatizëm, do të imponojmë profesionalizëm, dinamizëm, transparencë dhe institucionin e konkursit në mënyrë që ato probleme ato sfida që i kemi bashkërisht duke përfshirë një gamë më të madhe të njerëzve, ekspertëve që ka në Luginën e Preshevës të jenë të kyçur në zgjidhjen e këtyre problemeve. Krejt e rëndësishme që është, misioni i këtij institucioni është ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar, të gjitha veprimtarit tjera janë pjesë përbërëse e këtij institucioni. Kështu që unë besoj fuqishëm se Këshilli Nacional mund të nxisë në mënyrë sistematike vlerën e punës, ripërtrirjen e vlerave tona kombëtare, të nxitë zhvillimin kulturës, informimin, përdorimin zyrtarë të gjuhës dhe krimit shqip.
Zëri: Serbia tash e një kohë të gjatë i ka bllokuar librat nga Kosova për shqiptarët e Luginës se Preshevës. Çka të bëjë, ose a mund të bëjë Këshilli diçka më shumë në këtë çështje?
Mustafa: Po, ka pasur dy dimensione sa i përket çështjeve të librave, përkatësisht teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Me ligj është e parapërcaktuar se mund të ketë tri dimensione përmes të cilave mund t’i realizojnë ato: përmes autorëve lokale, përmes përkthimeve dhe përmes importimit të librave nga Kosova ose Shqipëria. Jemi të interesuar që t;i hapim horizontet e dijes, të krijojmë partneritet me Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe njëkohësisht të inkurajojmë autorët tanë më të mirë për të shkruar librat përkatësisht tekste shkollore në kuadër të planprogrameve që janë për shkollat shqipe në Luginë të Preshevës. E jona dhe unë besoj që në këtë mandat do t’i përfundojmë realizimin e teksteve për shkollat fillore dhe do ta nxisim procesin për shkollat e mesme që është më kompleks. Është e pakuptimtë që në shekullin 21 të kemi vetëm një libër për shkollat e mesme. Andaj na pret një punë e madhe por njëkohësisht një qasje strategjike e cila do të mundësojë që ky problem të jetë vetëm një histori e trishto për neve.
Zëri: Si e vlerësoni garën dhe sa kandidat jeni?
Mustafa: Gjashtë lista janë paraqitur për këtë garë. Ka filluar një lloj propagande dhe një manipulim e shpifje ndaj kandidatëve të ndryshëm. Kjo nuk është e mirë pasi ky institucion është puro, i pastër i shqiptarëve, i shërben shqiptarëve dhe interesave të shqiptarëve, prandaj nuk ka nevojë të ketë shpifje ndërmjet shqiptarëve, pasi është e tepërt për Luginën e Preshevës dhe tek e fundit ky institucion duhet t’i mbrojë liritë individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të mbrojë të drejtat tona kombëtare dhe kështu duhet të gjejmë rrugën e bashkëpunimit dhe vetëm mbi këtë bazë ne mund të avancojmë dhe përparojmë. Kjo qasje duhet të jetë qasje emancipuese dhe progresive.
Kandidatëve tjerë unë iu urojë sukses, por shpresojë që do ta marrin me qetësi këtë garë sepse është mes shqiptarëve. Kështu që le të zgjidhet ai që është më i miri, ai që më së miri mund ta kryej punën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Zëri: Serbia është i vetmi vend që e ndalon përdorimin e flamurit kombëtar për pakicat. Çfarë mund të bëni si Këshill për këtë çështje?
Mustafa: Gjuha dhe flamuri janë dy elementet që e konstituojnë, le të themi, thelbin e identitetit tonë kombëtar. Ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë që këto dy elemente t’i zhbëjmë, t’i zhbëjmë me dëshirën tonë, kjo do të ishte katastrofa më e madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ka tendenca, disa flasin që mund të ketë disa ndërrime në flamur, më pas kanë theksuar se jo, por kjo lojë nuk na duhet, ky debat është i tepërt për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndryshe ne nuk jemi shqiptarë të Serbisë, ne jemi shqiptarë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, jemi shqiptarët e Luginës së Preshevës, si të tillë njihemi, nuk njihemi si shqiptarë të Serbisë. Andaj çfarëdo propozimi, çfarëdo rekomandimi që mund të vije nga Serbia apo nga ndonjë diplomat i caktuar unë e shoh me rezervë këtë çështje dhe nuk jam i interesuar që këto dy themele në çfarëdo aspekti t’i prekim. Sepse nëse vjen dhe thotë le t’i bëjmë shkollat në gjuhen serbe, apo vjen me rekomandim dhe kërkohet ndryshim i fesë ose kështu me radhë, kjo do të prekte drejt për drejt identitetin tonë kombëtar, do të prekte rezistencën tonë të vazhdueshme, historike që kemi pas dhe do të prekte në thelb liritë tona individuale e kolektive.
Zëri: Presidenti i Kosovës e ka dhënë një ide për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. Cili është komenti juaj dhe sa mendoni se është e realizueshme një gjë e tillë?
Mustafa: Unë mendoj që Lugina e Preshevës është dashur të jetë në procesin e realizimit të shtetësisë së Kosovës. Besoj se është dashur të jetë edhe në Rambuje edhe në Vjenë, e aq më tepër jam i bindur se një garniturë e Këshillit Nacional duhet ta vë në tavolinën e Brukselit. Përkatësisht të jetë temë e trajtimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Bruksel. Është shumë e rëndësishme që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të kalojë përmes Luginës së Preshevës. Ndryshe nuk ka se çfarë të normalizohet në rast se në dialogun përfundimtar apo në finalen e madhe siç po e quajnë nuk është Lugina e Brukselit, përpjekja jonë nuk do të ndalet, sigurisht lufta jonë me Serbinë nuk do të ndalet, sepse Serbia na sheh me syrin e armikut, na konsideron si element i huaj aty. Kështu që ky është një rast i mirë, një rast ideal ku do të zgjidhje edhe çështja e Luginës së Preshevës, krahas normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Zëri: Cilat tema i trajton Këshilli Nacional?
Mustafa: Temat që i trajton Këshilli Nacional janë tema që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shqiptarët e Luginës kanë kaluar në proces nga pluralizmi demokratik, përkatësisht vitet e 90-ta, kanë bërë një referendum ku është treguar vullneti plebishitar ku është dëshmuar vullneti i shqiptarëve për t’u bashkuar me Kosovën, kanë bërë një luftë ndaj Serbisë për liri individuale dhe kolektive për të realizuar të drejtën tonë kombëtare dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve është vetëm një mekanizëm në këtë ndërmarrje historike të shqiptarëve që do të duhej t’i mbrojë dhe avancojë të drejtat e kombëtare e mbi të gjitha ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. /ZERI/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...