Ndalohet në Spanjë Enver Bajri, drejtuesi i dyshuar i grupit Bajri

19:24 | 27 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Enver Bajri, 45-vjeç, njeriu që konsiderohet si truri i grupit kriminal “Bajri”, të shtunën, është arrestuar nga policia në Spanjë.

Bëhet me dije se pas një koordinimi të plotë dhe intensiv të veprimeve mes tre policive të shteteve të ndryshme, specifikisht asaj shqiptare, spanjolle dhe italiane u bë e mundur edhe arrestimi i tij.

Policia tregon se Enver Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë.

Ai u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante, Spanjë.

“Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligj zbatuese, arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij’,-citohet nga deklarata e policisë.

Mësohet se në momentin e ndalimit, Bajrit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.

Dosja e Prokurorisë për grupin “Bajri”

Nga hetimet është zbuluar se vrasja e Arben Tuzit në Shkodër dhe vrasja e Fabiola Bajrit është kryer me të njëjtën pistoletë. Arma e krimit që është pëdorur në këto dy vrasje është gjetur në banesën e Behar Bajrit. Ekspertimi teknik dhe balistik ka vërtetuar se pistoleta është pëdorur në dy krime.

Të dhënat tregojnë se Tuzin dhe 15 vjeçaren Fabiola Bajri, dyshohet se i ka vrarë Behar Bajri. Ka të dhëna të sakta se Bajri dhe viktima Tuzi kanë pasur një vit para vrasjes një shkëmbim zjarri mes tyre. Palët janë pajtuar me ndërhyrjen e pleqësisë duke falur njëri-tjetrin, por sërish situata është tensionuar. Vetëm pak muaj pas vrasjes së Tuzit në Shkodër me të njejtën armë është vrarë Fabiola Bajri 15 vjeçe. Fabiola është vrarë me një plumb pas shpine gjë që tregon se nuk ka kryer vetëvrasje. Ndërkohë dy plumba të tjerë janë qitur nga pistoleta dhe kanë hyrë në tavan dhe mur. Arma është gjetur në dhomën e gjumit dy metra larg viktimës.

Prokuroria ka dalë në konkluzionin se viktima nuk mund të qëllonte vetveten nga pas, pra në shpinë. Do ishte rast unikal vetëvrasje, thonë prokurorët. Dyshohet se ekzekutori i Fabiolës dhe Tuzit është Behar Bajri. Shumë shpejt do kërkohet ekstradimi i tij nga Holanda.

Për llogari të këtij grupi janë dokumentuar dhe disa gjobëvënie. Fabiola Bajri, 15 vjeç është vrarë më 20 qershor 2002. Në fakt, ka patur një hetim. Ajo ka qenë gruaja e Behar Bajrit, në atë kohë është dalë në përfundim se ka qenë vetëvrasje.

Safet Bajri u arrestua në Tiranë javë më parë në ambientet e një bilardoje, ndërsa në pranga kanë rënë në total 11 persona të grupit ‘Bajri’.

Gjithë të arrestuarit përfshirë Safet Bajrin akuzohen në Shqipëri për vrasje, gjobëvënie ndaj bizneseve, kërcënim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal,  trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme