Google ADS

Detaje nga aktakuza për rastin mes kushërinjve në Vërbicë të Zhegocit

12:42 | 26 Tetor 2018
A. B.

Prokuroria Themelore në Gjilan, pas hetimit, ngritjes së aktakuzës dhe shikimit të provave e fakteve në lidhje me vrasjen e 19 gushtit të këtij viti në fshatin Vërbicë të Zhegocit i ka propozuar Gjykatës ta dënojë të miturin me inicialet A. N.

Sipas propozimit të Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i mituri A. N. dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë, i mituri A. N. dyshohet se së bashku me babain e tij më 19 gusht të këtij viti rreth orës 17:50 në fshatin Vërbicë të Zhegocit, kishin pasur një mosmarrëveshje verbale ku u përdorën edhe fyerjet me tani më viktimën 22 vjeçarin A. N.

Pas mosmarrëveshjeve verbale, i dyshuari 16 vjeç A. N. kishte marrë pushkën e gjuetisë në shtëpinë e tij dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të viktimës A. N. dhe si pasojë e plagëve të marra, ky i fundit kishte vdekur, ndërsa i mituri ishte arrestuar nga ana e policisë.

Në lidhje me këtë vrasje, gjatë procesit të hetimeve janë intervistuar personat e përfshirë në këtë çështje dhe i gjithë fshati Vërbicë e Zhegocit.

Në tri faqe është përmbledhur e gjithë ngjarja që kishte ndodhur orët e mbrëmjes së 19 gushtit të këtij viti.

Babai i viktimës para Prokurorisë ka dëshmuar se, në ditën kritike kur është kryer vrasja ai ka qenë tek vëllezërit e tij në fshatin Bresalc, ndërsa ka marrë një telefonat nga djali tjetër ku edhe ka mësuar se djali A. N. është qëlluar për vdekje.

Deklarata e babait të viktimës vazhdon duke thënë se, pas marrjes së informacionit ai së bashku me tre vëllezërit e tjerë dhe bashkëshortet e tyre kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë parë nga një largësi prej 70 metrave viktimën të shtrirë për tokë dhe të mbuluar me një batanije, ndërsa aty kishte kuptuar se djali i tij ishte vrarë nga kushërinjtë e tij.

I mituri A. N. para Prokurorisë kishte rrëfyer se si kishte ardhur ngjarja deri te përdorimi i pushkës së gjuetisë.

Sipas deklaratës, i mituri me tani më viktimën kishin pasur shumë herë mosmarrëveshje.

I mituri kishte deklaruar se viktima e kishte rrahur tri ose katër herë më përpara brenda një viti dhe se i njëjti e ka telefonuar babain e të dyshuarit ku më pas e ka kanosur.

Ai vazhdon deklaratën duke thënë se ditën kritike, ishte duke rregulluar korpën e traktorit me një çekan ndërsa ka parë viktimën deri sa po afrohej tek babai i tij me një shufër hekuri në dorë.

“Unë për shkak të situatës jo të mirës mes atij dhe babit tim kam vrapuar menjëherë me çekan në dorë e kam parë atë me një shufër hekuri në dorë duke u munduar ta godas babin tim. Jam afruar më afër dhe jam munduar me çekan që ta godas atë por një person tjetër ma ka larguar nga dora dhe në ato momente unë kam parë në brez të tij një revole të zezë dhe kam vrapu në shtëpi e kam marrë pushkën e gjuetisë të babit tim. Kam dalë në rrugë, nëna ime ka dalë me shiku gjendjen, ndërsa armën e kam bo me qëllim me e frikësu atë. Ai (viktima) e ka nxjerrë revolen nga brezi dhe unë nga frika kam gjuajtur me pushkë”, ka deklaruar i mituri i dyshuar.

Ai tregon se ka gjuajtur dy herë në drejtim të viktimës.

Propozimi i Prokurorisë

Nga provat e mbledhura gjatë fazës së procedurës përgatitore, provat e siguruara , hetimet dhe pas analizës së të njëjtave, konsiderohet se i mituri ka kryer vepër penale.
Prokuroria i propozon Gjykatës Themelore në Gjilan që të miturit t’i shqiptoj burgim për të mitur pasi që është në interesin e tij, pasi që me masa të tjera edukative nuk do të arrihet efekti i duhur i rehabilitimit që të ardhmen i njëjti të mos kryej vepra të tjera penale./kallxo.com

 

Të ngjashme